Transmetuar më 19-02-2018, 15:13

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Presidenti Ilir Meta mori pjesë në veprimtarinë e Fondacionit Illyricum Sacrum me temë: “Gjergj Kastrioti në ekonominë shqiptare” të përqendruar sidomos te marketimi i simbolit të Skënderbeut në ekonominë shqiptare.

Në këtë takim ishin të pranishëm albanologë, historianë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile e të medias dhe sipërmarrës nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, të cilët kishin ekspozuar edhe prodhimet e tyre.

“Në këtë vit jubile të kremtimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kemi nevojë jo vetëm të përkujtojmë dhe vlerësojmë veprën, jetën dhe kontributin e pashlyeshëm historik të kësaj figure emblamatike të kombit tonë, por ndër të tjera të reflektojmë me vetëdijen tonë kombëtare se si këto vlera dhe trashëgimi historike të mishërohen dhe të përjetësohen edhe në promovimin e ekonomisë sonë dhe potencialin eksportues të produkteve autoktone shqiptare”, u shpreh Meta.

Më tej Presidenti Meta deklaroi se pavarësisht se globalizimi ka zbehur rëndësinë e kufijve gjeografik dhe politikë sikurse ka rrëzuar edhe barrierat kulturore mes vendeve dhe popujve, bashkimi ekonomik që ai krijon nuk përbën kërcënim për ekzistencën e identiteteve dhe simbolikave kombëtare apo për promovimin e produkteve me “marketing identitar”.

“Unë besoj se proceset integruese të globalizimit dhe identitetet kombëtare, si simbolikë Ekonomike, mund të bashkëjetojnë në realitetin e tregut global dhe si të tillë nuk janë mohim i njëri-tjetrit. Gjithsesi, integrimi i tregjeve rajonale dhe globale mund të përkthehet në kërcënim ose oportunitet në varësi të aftësive konkurruese të ekonomisë dhe produkteve tona”, shtoi ai.

Meta theksoi se sipas tij historia e ekonomisë botërore na ka dhënë shembuj pafund suksesi të “patentimit”, të “komercializimit” dhe promovimit të produkteve dhe shërbimeve ekonomike përmes përdorimit të emrave dhe simbolikave të figurave historike kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Në këtë drejtim, edhe ne nuk kemi mbetur prapa me simbolikën e emrit të heroit tonë kombëtar, në krijimin e konjakut të famshëm “Skërnderbeu”, i cili tashmë është shumë i pëlqyer edhe në tregjet ndërkombëtare dhe është pikërisht ky konjak që shërben shpesh si një suvenir i vyer dhe i kërkuar dhe nga turistët e huaj, të cilët e marrin me vete si një kujtim të veçantë kur largohen nga Shqipëria.

Historia e suksesit të konjakut ‘Skënderbeu’, duhet të na frymëzojë për krijimin e produkteve të tjera origjinale me të njëjtin “brandim – Made in Albania” që mund të tregtohen ndërkombëtarisht duke shfrytëzuar emrin e përbotshëm, figurën dhe simbolikën e Skënderbeut tonë – historia e të cilit nuk njeh kufi”, tha Meta. /b.l/noa.al/