Transmetuar më 18-02-2018, 23:25

E mbani mend Hakan Sukur?

Ai ka një rekord ende të pathyer në një kupë bote.

Është autori i golit më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në Botëror.

Pikërisht ndaj Koresë së Jugut, që organizonte Botërorin e 2002-it, Sukur shënoi golin e parë për 10.89 sekonda, ndeshje e vlefshme për vendin e tretë.

Një hero asokohe i Turqisë, ndërsa sot tradhtar i vendit të tij.

Në dasmën e tij pati të ftuar special, madje edhe presidentin e Turqisë, ndërsa tani jeton në ekzil i detyruar.

“Gabimi” i madh i Hakan Sukur, ish-sulmuesi i kombëtares turke, por edhe i Interit në Itali, ishte përfshirja në politikë.

Lojtari që ka shënuar 51 gola në 112 ndeshje, sot jeton në Shtetet e Bashkuara.

Gruaja me të cilën kreu dasmën e famshme me të ftuar specialë njerëz të pushtetshëm në Turqi, nuk jeton më, ndërsa babain e ka në burg të akuzuar dhe dënuar si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj vetë Hakan Sukur, që nëse vendos që një ditë të rikthehet në atdhe, me siguri do të mbyllej të paktën për 40 vjet pas hekurave.

Nën pushtetin e Erdogan, Hakan Sukur do të mbetet përherë një tradhtar.

Nuk mendojnë kështu tifozët turq, që për ta mbetet rekordmeni i Kupës së Botës…