Transmetuar më 18-02-2018, 14:29

Një person i dyshuar për plagosjen e një të riu në Tiranë, është vënë në prangat e policisë, ndërkohë që i dyshuari si bashkëpunëtor i tij, është shpallur në kërkim.

Efektivët e komisariatit nr.6 në Tiranë, gjatë ditës së djeshme, e shtunë, bënë arrestimin e 27-vjeçarit Gazmend Osmani, banues në Tiranë, si dhe shpallën në kërkim 24-vjeçarin T.Ll., banues në Kashar.

Osmani ishte shpallur në kërkim pasi më 16 shkurt rreth orës 11:00, në rrugën “Azem Meshi” në bashkëpunim me T. Ll., 24 vjeç banues në Kashar, pas një konflikti të çastit kanë kanosur dhe plagosur me mjete të forta shtetasin A. D., dhe janë larguar nga vendngjarja.

Gjatë mbrëmjes së djeshme shërbimet e policisë kanë konstatuar në Kashar mjetin me targë AA 064 NZ që drejtohej nga Gazmend Osmani.

Punonjësit e policisë i kanë bërë shenjë të ndalojë, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.

Uniformat blu janë venë në ndjekje të këtij mjetit, ku në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit si dhe kapjen e Gazmend Osmanit, i cili drejtonte mjetin.

Ndërsa shtetasi T.Ll., 24 vjeç, banues në Kashar, i cili udhëtonte si pasagjer me të, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i plagosjes së ndodhur gjatë së premtes, ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy maska dhe një karikator arme zjarri pistoletë me pesë fishekë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që në ngarkim të tyre materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit “Moskallëzimi i krimit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. /a.y/noa.al

Foto ilustruese