Transmetuar më 18-02-2018, 13:11

Nëse në Shqipëri ata janë të ndarë, mesditën e sotme politikanët shqiptarë u bënë bashkë në Prishtinë, njëri pas tjetrit, në seancën parlamentare solemne, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Të pranishëm në seancën e sotme ishin Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e rastit, Rama tha se Kosova dhe Shqipëria do të ketë një politikë të jashtme, pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, u shpreh Rama.

Ai foli edhe për përmirësimin dhe unifikimin e arsimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për lehtësimin e procedurave doganore.

Sipas tij, kremtimi i pavarësisë së Kosovës sy dekada para ishte më shumë një utopi se sa një objektiv i realizueshëm.

“Heronjtë e dalë nga ky popull e bënë të mundur. Por tani si pjesë e një rrëfimi Shqipëria dhe Kosova jetojnë në një fushë të njëjtë. 10 vjet nga sot pa pikë kufitare në Morinë ku do të bashkohen në një shesh të madh për ta parë Rita Orën e Re”, tha ndër të tjera Kryeministri shqiptar./a.y/noa.al