Transmetuar më 18-02-2018, 10:00

Moderatorja e njohur Amarda Toska ndodhet në periudhën e fundit të shtatzënisë, ku pas pak javësh pritet të sjellë në jetë një vajzë, duke e bërë me motër Joelin e vogël.

Por për shkak të pritjes së ëmbël, por edhe angazhimeve në biznesin që drejton, Ami është shkëputur disi nga ekrani.

Së fundmi, ajo është intervistuar për emisionin “Jo vetëm modë”, në ‘Klan’, ku shprehet se shtatzënia i ka ecur shumë mirë.

“Shtatzënia më ka shkuar shumë mirë, kur u nis në fillim e shihja si rrugëtim të gjatë dhe tani që po i vjen fundi them sa shpejt kaloi dhe dua t’i shijoj edhe këto momente të fundit. Luhatje humori dhe neps nuk kam patur. Nepsi besoj ka qenë në kohën e prindërve tanë kur mungonin shumë gjëra”, u shpreh Ami.

Lidhur me emrin e vajzës ajo thotë se nuk e kanë vendosur ende.

“Kemi disa emra të preferuar por nuk dua t’i them sepse duket sikur e shpall pastaj. Djalit ia kemi vendosur më herët, ndërsa me vajzën akoma s’na e ka bërë klik emri i duhur”, ka thënë moderatorja simpatike, e cila vijon të ruajë hijeshinë pavarësisht shtatzënisë. /a.y/noa.al