Transmetuar më 17-02-2018, 14:12

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi bashkë me urimin për ditën e shënuar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, për 10 vjetorin e Pavarësisë, jep edhe një mesazh të fortë për klasën politike, atje dhe këtu.

Sipas saj, 10 vjet janë shumë pak për të fituar pjekurinë e një shteti që aspiron Evropën, por mjaftueshëm për të treguar seriozitetin me të cilin ky shtet është angazhuar për të plotësuar aspiratën e shqiptarëve të Kosovës: përfshirjen sa më shpejt në familjen evropiane.

Kryemadhi nuk e kursen një mesazh dhe nevojë për reflektim, ku shprehet se dita e sotme le të jetë sipas saj një ditë reflektimi mbi atë çfarë klasa politike në Kosovë e Shqipëri ka bërë për të realizuar aspiratën pa kufij mes vendeve tona, atë të shqiptareve pjesë e familjes së madhe evropiane.

“Gëzuar Kosovë! 10 vjet më parë pavarësia e Kosovës ishte lajmi më i gëzuar për të gjithë shqiptarët anekënd botës. 10 vjet më parë hareja dhe gëzimi ishin pjesë e jetës së çdo shqiptari, pavarësisht vendit ku ndodhej.  10 vjet më parë media ndërkombëtare i kushtoi vëmendjen maksimale shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri dhe ndoshta nga më të vuajturit në Evropë. 10 vjet më parë, sakrificat, përpjekjet dhe lufta e një kombi së bashku dhe me mbështetjen dhe angazhimin e ndërkombëtarëve sollën pavarësinë e munguar ndër shekuj”, shkruan Kryemadhi.

Më tej aji thekson se, “Sot, 10 vjet më pas festa dhe hareja janë prapë pjesë e jetës së çdo shqiptari, që më shumë se kurrë ka një arsye për të gëzuar, një komb dhe shtet me moshën e një fëmije që po rritet.

10 vjet janë shumë pak për të fituar pjekurinë e një shteti që aspiron Evropën, por mjaftueshëm për të treguar seriozitetin me të cilin ky shtet është angazhuar për të plotësuar aspiratën e shqiptarëve të Kosovës: përfshirjen sa më shpejt në familjen evropiane.

Ndaj le të jetë dita e sotme, përveç se një ditë gëzimi, edhe një ditë reflektimi mbi atë çfarë klasa politike në Kosovë e Shqipëri ka bërë për të realizuar aspiratën pa kufij mes vendeve tona, atë të shqiptareve pjesë e familjes së madhe evropiane”, përfundon kryetarja e LSI-së. /b.l/noa.al/