Transmetuar më 16-02-2018, 11:43

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përshëndet deklaratën e përbashkët të Presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, Thaçi- Vujanoviç, për demarkacionin e kufijve.

Meta vlerëson se, përmes këtij akti, Mali i Zi demonstron edhe njëherë se është partner i shkëlqyer i shqiptarëve dhe faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

Presidenti uron institucionet e Kosovës për këtë hap të rëndësishëm dhe nënvizon se kjo ngjarje i hap rrugën të ardhmes evropiane të Kosovës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj.

"Mali i Zi partner i shkëlqyer i shqiptarëve. Miratimi i Demarkacionit do të sjellë një pranverë europiane për Kosovën dhe qytetarët e saj", u shpreh Metra.

Më herët kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një statusi në Facebook, konfirmoi lajmin për arritjen e marrëveshjes për korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen”, ka shkruar Haradinaj./b.l/noa.al/