Transmetuar më 14-02-2018, 07:48
Publicitet

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim projektligjin “Për strehimin social”. Me nismën e re të qeverisë, janë 14 kategori të listuara si prioritare, që do të përfitojnë nga programi i “Strehimit social”, duke marrë banesa apo bonos qiraje, shkruan “Panorama”.

Sipas projektligjit, me përparësi do të trajtohen kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, individët që kanë statusin e jetimit, që kanë dalë nga qendrat e përkujdesjes së shoqërisë deri në moshën 30 vjeç. 

Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer në Shqipëri apo edhe ata, që kanë aplikuar si azilkërkues.

Po ashtu, kategori që do të trajtohen me prioritet, do të jenë familjet e policëve të rënë në detyrë, familjet e reparteve të FNSH-së dhe RENEAS. Projektligji ri trajton me precedencë dhe kërkesat e komunitetit gay, lesbike, biseksuale, transgjinorëve (LGBT). Nisma në fjalë është miratuar vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi deputetët e opozitës kanë ngritur një sërë shqetësimesh për projektligjin.

Kreu i Republikanëve, ka quajtur si të papranueshëm detyrimin e sipërmarrësve që të dhurojnë me detyrim 50 metra katrorë për banesë sociale, për çdo 2 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Ndërkohë që debat ka shkaktuar dhe mënyra se si do të verifikohen pjesëtarët e komunitetit LGBT, të cilët kërkojnë strehim social.

Në emër të PD, Gent Strazimiri i ka quajtur socialistët si “sovjetik” që janë bërë miliarderë. “Kur mblidhet KPD-ja juaj, një makinë është 100 mijë euro. E për çfarë mblidhen për të diskutuar programe sociale për të ndihmuar të pamundurit. Këto s’ua ha njeri”, ka thënë ai.

Kategoritë që përfitojnë

NENI 15 Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

I. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;

II. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;

III. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;

IV. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;

V. familjet e policëve të rënë në detyrë;

VI. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);

VII. punonjësit e repartit RENEA;

VIII. viktimat e dhunës në familje;

IX. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

X. anëtarët e komunitetit rom;

XI. anëtarë të komunitetit egjiptian;

XII. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;

XIII. vajzat nëna;

XIV. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.