Transmetuar më 13-02-2018, 19:32

Lumë akuzash pasuan mbi deputeten e Partisë Socialiste, menjëherë pasi kjo e fundit vendosi lule në lapidarin ku ishte edhe fotoja e Mehmet Shehut.

Por sot, deputetja Antoneta Dhima ka kërkuar ndjesë publike, për të gjithë ata që u ofenduan nga ky veprim, dhe ka sqaruar situatën.

Që në nisje të postimit të saj në facebook, ajo shkruan: Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë lënduar!

Ajo vijon më tej se nderimi i të rënëve në luftë është për ata që dhanë jetën për liri, dhe aspak me figurën e Mehmet Shehut.

“Lapidarët në këtë vend i takojnë të rënëve, martirëve dhe dëshmorëve të Atdheut, nderimi e respekti për ta është detyrim për çdo shqiptar. Nderimi ynë për ta, nuk ka lidhje me fotot që dikush vendos, mbase dhe qëllimisht mbi lapidarin e përbashkët.

Megjithëse një vend i lirë, nderimi im për dëshmorët, mbetet nderimi vetëm për të rënët, për heronjtë e lirisë dhe aspak nderim për diktaturat dhe diktatorët”, shkruan Dhima.

Buqetën me lule, ajo e vendosi në aktivitetin e organizuar në Patos me rastin e 75-vjetorit të sulmit të çetës së Mallakastrës dhe Vlorës. /k.k/noa.al/