Transmetuar më 13-02-2018, 17:15

Skemat e reja mbështetëse të fermerëve po krijojnë mundësi të reja për rritjen e produkteve shqiptare dhe sigurinë ushqimore. Nëpërmjet këtyre skemave, fermerët do të mbështeten me 500 lekë për matrikullimin e bagëtive të imta dhe 2000 lekë për matrikullimin e bagëtive të trasha, kundrejt kostos prej 150 lekëve të viteve të kaluar. Regjistrimi i kafshëve është hapi i parë i gjurmimit të produkteve blegtorale dhe drejt sigurisë ushqimore.  

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi vizituan sot një fermë në Durrës, që falë përfitimit nga skemat financiare ka ngritur një stallë dhe po e zgjeron investimin me një linjë moderne të prodhimit të qumështit dhe djathit. 

Kryeministri beson se kjo skemë e re do të jetë një motiv më shumë për ata që duan të përfshihen në blegtori e agropërpunim. “Unë besoj që ndryshimi i skemës, nga skemë detyruese dhe demotivuese për të paguar ti për çdo krer të lindur, në skemën që shteti të paguan ty, do bëjë që matrikullimi të jetë jo vetëm pasojë e motivimit, por dhe të jetë një garanci për të gjitha ato që ne duam të krijojmë deri në fund, me regjistra, me ndjekje të të gjithë statistikave dhe me kontrollin e plotë me vaksinime etj.. Ndërkohë do jetë një stimul që dhe të tjerë të përfshihen e të merren me blegtori më shumë”, u shpreh Rama.

Në fokus të veçantë janë edhe pikat e grumbullimit dhe standardet e sigurisë. 25 milionë lekë do të jepet për çdo pikë grumbullimit, e cila plotëson standardet, theksoi ministri Peleshi, i cili garantoi mbështetje edhe për pajisjen me enë transporti të certifikuara nga Bashkimi Europian, si garanci për rritjen e sigurisë ushqimore. 

“Ne japim rreth 25 milionë lekë për një pikë grumbullimi. Ndërkohë japim mbështetje për të pajisur të gjithë fermerët me enët e grumbullimit dhe transportimit të qumështit, pra, kova të certifikuara nga Bashkimi Europian për ushqim, sepse nga aty fillon ndotja mikrobike”, – tha ministri. 

Po ashtu transporti i produkteve blegtorale është një ndër hallkat në përmbushjen e standardeve ushqimore, ku nuk do të lejohet më të kryhet me cisterna plastike që favorizojnë ndotjen mikrobike. 

“Transporti, nga femra e deri tek fabrika e përpunimit, nuk do të lejohet të kryhet më me cisterna plastike, ku ndotja mikrobike dhe në kushtet e temperaturës së lartë rritet me shumë fish, por do duhet të bëhet vetëm me cisterna inoksi sepse duam jo vetëm të rrisim prodhimin, por dhe të rrisim pastërtinë e qumështit dhe kushtet higjenosanitare, pra, sigurinë ushqimore të konsumatorëve”, – u shpreh Peleshi./b.l/noa.al/