Transmetuar më 13-02-2018, 16:35

Presidenti Ilir Meta, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zhvilloi sot një takim, me gazetarë, komentatorë, folës, regjisorë, drejtues të ndryshëm radiosh, sportistë të radio-amatorizmit, etj.

Meta duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh: “Për mua është privilegj e kënaqësi e veçantë dhe nuk mund të ikte kjo mundësi në këtë vit, që UNESCO e ka quajtur vitin e ‘Radios dhe të Sportit’, për t’iu ftuar ju të gjithëve për të qenë sot sëbashku, që të nxisim më tej të rinjtë tanë, të merren dhe të angazhohen më shumë me sport për të luftuar veset, për të luftuar obezitetin, depresionin te fëmijët, te të rinjtë, te të gjithë shoqëria, por edhe për të promovuar arritjet e sportit tonë që shpresoj në këtë Vit të Skënderbeut do të jenë më të larta.

Gëzuar për të gjitha radiot në vendin tonë dhe mbi të gjitha për ata që themeluan këtë sistem që ne kemi sot mjaft pluralist dhe mjaft profesional! Uroj suksese për të gjithë komunitetin tuaj, për të gjithë gazetarët, teknikët, komentatorët e radios, për gjithçka që ju bëni për t’i shërbyer publikut”, u shpreh Meta.

Më tej Meta theksoi se Dita Ndërkombëtare e Radios, i mblodhi jo thjesht për të përkujtuar një datë simbolike, por sipas tij edhe për të vlerësuar në radhë të parë kontributin e secilit prej atyre drejtuesve, gazetarëve e komentatorëve të mrekullueshëm, por edhe teknikëve të palodhur të radios, që sot nuk janë midis nesh.

“Falë të gjithëve ju, ky medium në Shqipëri arriti të merrte një fuqi unike, nga 28 Nëntori 1938, kur daton dhe themelimi i Radio Tirana dhe deri në ditët e sotme, kur radio përballet me sfidat e pashmangshme të dixhitalizimit dhe burimeve alternative të informacionit. Kur sjell ndërmend radion, nuk mund të mos ndaj me ju edhe faktin se mundësisht, për afro dy vite, edhe unë u përpoqa, të jem një ndër ju.

Para viteve ’90, tepër i ri në moshë, kam bërë edhe unë komentatorin sportiv në emisionin e njohur radiofonik në Radio Tirana “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me një nga ikonat e radios, Ahmet Shqarrin. Radioja ende mbetet mediumi që arrin audiencën më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur’, thuhet në deklaratën e UNESCO-s. Ndaj dhe unë uroj që kjo të mbetet e vërtetë”, shtoi ai.

Në fund Presidenti Meta ka kujtuar edhe disa nga emrat që lidhen me fillimet e Radio Tiranës, emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari,  Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu etj.