Transmetuar më 13-02-2018, 13:36

Pas takimeve në prokuroritë e rretheve Durrës, Shkodër, Vlorë e Fier ku ka përcjellë mesazhin për forcimin e hetimeve që do të ndihmojnë për të çuar pas hekurave peshqit e mëdhenj të trafikut të drogës por dhe zyrtarë të korruptuar, Kryeporkurorja Arta Marku udhëtoi sot drejt Korçës për analizën vjetore.

Gjatë kësaj analize të radhës Marku nënvizoi për nxitjen e aplikimit të Marrëveshjes dhe Urdhërit Penal, me qëllim që prokurorët të jenë më të angazhuar dhe fokusuar tek hetimi i veprave penale me rrezikshmëri të theksuar dhe sensitive për rrethin Korçë.

Marku tha se Prokuroria e Përgjithshme mbështet prokurorët për hetime në lëndën e korrupsionit, teksa ka kërkuar që kjo sipas saj të bëhet duke kërkuar dhe mbështetur forma të reja bashkëpunimi me policinë gjyqësore, agjencitë e tjera në Korçë, si Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), etj. dhe tërheqja e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit.

 “Përkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku megjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike, trafikimin etj.

Nxisim analiza të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe”, deklaroi Marku.