Transmetuar më 13-02-2018, 12:29
Publicitet

Dy kandidatet gra në listat e Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit, Juvina Jani dhe Monika Qosja, kanë depozituar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjet nga kandidimi duke refuzuar mandatin e deputetit.

Kjo bën që mandati i mbetur i lirë pas dorëheqjes së deputetit Eduard Halimi t’i kalojë biznesmenit, Astrit Veliaj.

Në dorëheqjet e depozituara nga Jani dhe Qosja, bie në sy ngjashmëria e fortë në formë dhe përmbajtje. Të dyja kandidatet e motivojnë refuzimin për t’u bërë deputete me “motive personale”.

Një ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se është çështje e KQZ mandati i lënë i lirë nga Eduart Halimi.

“Astrit Veliaj është nr. 2 në listën e Beratit. KQZ vendos se kush do të marrë mandatin. Këto janë çështje të KQZ dhe të vullnetit të personave përkatës”, tha Basha.

Dy zonjat renditeshin në fund të listës së demokratëve për Beratin, qark për të cilin selia blu ka paguar edhe gjobën për mosrespektim të kuotave gjinore. 

Sipas kësaj, mandati i lënë nga Eduard Halimi duhet t’u shkonte fillimisht dy grave dhe vetëm nëse ato refuzojnë, siç edhe ndodhi, ndiqet renditja e meshkujve, ku i dyti në listë gjendet Astrit Veliaj.

Loading...