Transmetuar më 13-02-2018, 10:40

Janë me qindra pemë të llojeve të ndryshme që i janë shtuar këto javë kryeqytetit duke ndryshuar anën estetike, por edhe cilësinë e ajrit që ka nevojë kaq shumë për gjelbërim.

Madje, kjo nismë për të mbjellë 100 mijë pemë të reja gjer në 21 mars ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë, duke e kthyer Tiranën në një model për t’u ndjekur edhe nga qytete të tjera në rajon.

Teksa ishte për vrap nga kodrat e Parkut të Madh të Liqenit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është përballur dje me një surprizë tejet të bukur.

Ai është ndalur nga një familje nga Gjakova e ardhur në Tiranë enkas për të mbjellë një pemë, pasi dëshira e Bunës së vogël ishte që për 40-vjetorin e babait të saj të mbillte një pemë në kryeqytet me pretekstin se “pemët për ditëlindje mbillen veç në Tiranë”.

“Dje tek mbaroja vrapin nga Liqeni, më ndalon Astriti enkas nga Gjakova me familjen e tij të bukur Vlora dhe Buna! E bija kish vendosur t’i mbillte një pemë për 40-vjetor babit me pretekstin se “pemët për ditëlindje mbillen veç në Tiranë. Sot @aprtirana ia plotësoi dëshirën”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në Twitter.

Bashkia e Tiranës ka ftuar subjekte private apo individë që të bëhen pjesë e gjelbërimit duke dhuruar pemë në Tiranën për të përkujtuar një datë të shënuar apo një njeri të dashur si investim për ta bërë më të bukur e më të jetueshëm kryeqytetin.