Transmetuar më 13-02-2018, 09:19
Publicitet

Ermal Meta, fituesi i Sanremos, shprehu emocionet e tij me anë të një interviste për këtë triumf të madh.

Këngëtari shqiptar shprehet se “sa herë që nxjerr një këngë mendoj se është më e mira”, por nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”.

“Fabrizio më kontaktoi në qershor mua. Ai më ka pëlqyer gjithmonë si artist dhe pranova menjëherë. Pas atentatit në koncertin e Ariana Grande, fansat kishin frikë të vinin në koncertet tona, por kur e lë veten në dorë të frikës...  Prandaj vendosëm të merrnim pjesë me këtë këngë”, shpjegoi Meta, në një intervistë telefonike mëngjesin e sotëm për emisionin “Wake Up” në Tch.

Në lidhje me pezullimin fillestar të këngës nga Sanremo, Meta deklaroi se: “U trishtuam shumë, por e dinim se kishim të drejtë. Ne e kishim deklaruar që refreni ishte nga një këngë tjetër, e shkruar nga njëri prej nesh. Ndoshta disa gazetarë nuk e dinin ose nuk donin ta dinin. Thanë diçka të pasaktë. Kënga kishte refren të njëjtë, por ishte refreni ynë”.

Në fund, Meta deklaroi se është shqiptar dhe kjo gjë nuk fshihet dot dhe as nuk ka dëshirë që ta fshehë, “por nga ana tjetër çdo njeri përfaqëson veten e vetë”.