Transmetuar më 12-02-2018, 17:00

Tenori i njohur shqiptar, me famë botërore, gjithashtu ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste, Agim Hushi, ka reaguar kundër Qeverisë e cila sipas tij nuk duhet lejuar të varrosë artin. 

Ai u lakua shumë në media pak kohë më parë për shkak të një statusi në rrjetet sociale ku ndër të tjera njoftonte ikjen përfundimtare nga Shqipëria dhe shkruante: “Më bëtë të më vijë turp që jam bashkëkombësi juaj”.

“Më së fundmi ata po flasin! Po bashkohen dhe po mbështesin kauzën e tyre të nëpërëmbur, teatrin e tyre, shtëpinë e tyre të artit; jetën e tyre! Megjithëse heshtën ato ditë kur më fyen mua kolegun e tyre dhe makina e pushtetit prodhoi me urdhër mallkimin tim pse quajta hajdutë ata që kanë zënë për fyti atdheun tim të dështuar, atdheun që po na përzë të gjithëve; ngriti hordhitë e b…lëpirësve pse thash që me vjen turp që flas dhe unë gjuhën e tyre:: hajdutëve, maskarenjve me hundë të bardhe, antiartistëve dhe antishqiptarëve. Më quajtën tradhtarë se fola hapur dhe me zë të lartë, me dhimbjen e ikjes”, shkruan Hushi.

Më tej tenori i njohur shqiptar teksa shprehu mbështetjen e tij ndaj artistëve, Hushi i ka bërë thirrje atyre të bashkohen dhe mos dorëzohen. “Foli aq bukur Ndrenika, Asqeriu, Anila Bisha… Dhe kur flasin artistët nga shpirti është si mallkimi i Zotit! Shpresoj që zëri i tyre të gjëmojë me forcën e të drejtës, logjikës dhe forcës së pastërtisë që karakterizon artistin dhe shpirtin e tij!

Uroj që kjo forcë të gjëmojë dhe të kthehet në një ortek që do të shkuli atë klase të dështuar politike që po shkatërron dhe merr nga ai popull gjithçka të vyer; dhe shpirtin e lirë! Jam me ju miqtë dhe kolegët e mi! Por bashkohuni, mos lini t’ju thyejnë apo t’ju kërcënojnë me asnjë çmim! Një grua apo një qeveri e çmendur s’mund të marrosi shpirtin e një arti të vërtetë”, përfundon ai./b.l/noa.al/