Transmetuar më 12-02-2018, 16:31
Publicitet

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një veprimtari të posaçme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë në Bibliotekën "Musine Kokalari" të njësisë vendore nr.17, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i UNWomen në Shqipëri Giuseppe Belsito, petagoge, shkncëtare, nxënëse të shkëlqyera të shkollave të mesme, studente si dhe gra që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite në shkencë.

Ai tha se përfshirja sa më e madhe e grave dhe vajzave në kërkim shkencor dhe garantimi i barazisë gjinore janë thelbësore për realizimin e këtyre objektivave vitale për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie.

“Dëshiroj të shpreh rëndësinë e madhe që ka përfshirja e të gjithëve më me pasion drejt shkencës, teknologjisë, inovacionit sidomos vajzave dhe grave, për arsye sepse ju përfaqësoni gjysmën e shoqërisë dhe pa dyshim që dhe pesha që duhet të mbani për të gjithë zhvillimin e shoqërisë, të zhvillimit të ekonomisë kombëtare, të përmirësimit të ekonomisë familjare duhet të jetë sa më e barabartë. 

Vetëm në këtë mënyrë edhe ju do të jepni kontributin tuaj, dhe nuk flas thjesht për ju që jeni këtu, flas për të gjithë ato që ju përfaqësoni dhe që duhet të angazhohen më shumë në këto fusha për të realizuar disa nga objektivat më të rëndësishme edhe të Kombeve të Bashkuara, por edhe të vetë vendit tonë, në ato që quhen si objektivat e mijëvjeçarit që kanë të bëjnë me reduktimin e pabarazisë, që kanë të bëjnë me një edukim më cilësor dhe sigurisht dhe me një barazi të plotë gjinore. Në këtë drejtim mendoj që gratë dhe vajzat nuk duhet ta konsiderojnë dhe nuk duhet ta pranojnë që të jenë faktor plotësues apo sekondarë si në shoqëri, ashtu edhe në familje”, u shpreh Meta.

Me këtë rast Presidenti Meta i dhuroi Bibliotekës duke pasuruar fondin e saj tri libra të autorëve shqiptarë Kristo Frashëri, Virgjil Muçi dhe Marin Barleti për Heroin tonë Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. /b.l/noa.al/