Transmetuar më 12-02-2018, 15:43

Shën Valentini, festa që e ka origjinën në tregime të ndryshme, sot festohet në shumë vende të botës.

Bizneset, dyqanet e mëdha, qendrat komerciale janë përshtatur më së miri me valën e dashurisë dhe para 14 Shkurtit përshtasin vitrinat me ide dhuratash dhe atmosferë frymëzuese për të nxitur dhe ata që akoma nuk dinë çfarë dhurate të blejnë.

Me hyrjen e viteve të demokracisë edhe shqiptarët po festojnë masivisht Shën Valentinin dhe kjo ditë është kthyer në një nga ato festa që krijon fluks blerjesh e dhuratash për të dashuruarit, por jo vetëm. Shpenzimet para dhe gjatë kësaj dite kanë ardhur në rritje nga viti në vit.

Interesant është fakti që në këtë festë janë meshkujt ata që shpenzojnë gati dy herë më shumë se femrat. Shpenzimet kryesore janë për produkte kozmetike, të kujdesit personal, të brendshme.

Shitje të mëdha shënohen në celularë, bizhuteri, lule, çokollata apo darka romantike. Grupmosha 25-34 vjeç janë konsumatorët kryesorë të kësaj feste.

Joana Korimi, Drejtuesja e marketingut të ACREM (kompania manaxhuese e qendrave tregtare TEG, QTU) pohon se mosha mesatare e këtyre konsumatorёve ka ardhur në rritje vit pas viti.

Bizneset në vendin tonë janë përshtatur gjithmonë e më shumë duke i kushtuar vëmendje të veçantë ditëve festive si kjo. Ditë të tilla tematike janë një rast shumë i mirë për të gjeneruar shitje nga bizneset por edhe për organizime që sjellin gjallëri në komunitet.

Znj. Korimi na informon që eventet janë pjesë integrale e jetës në një Qendër Tregtare ku njerëzit kalojnë një pjesë të mirë të kohës dhe krijojnë një lidhje afatgjatë dhe të ngushtë me klientët.

“Përtej kësaj, – vijon Korimi, – nëpërmjet eventeve, qendrat tona tregtare synojnë të ofrojnë diçka ndryshe përtej të përditshmes, me qëllim që të sjellim një energji pozitive në kryeqytet”.

Këtë vit Shën Valentini do të sjellë në TEG një nga eventet më të veçanta e më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend. Plot 100 çifte të dashuruarish pritet të japin premtimin njëri-tjetrit, në prani të miqve dhe familjarëve, në një ceremoni të organizuar si kurrë më parë. Një ambient i vërtet dasme sjellë nga Ami Event mirëpret në TEG edhe të gjithë vizitorët që janë kuriozë dhe duan të bëhen pjesë e kurorëzimit të 100 çifteve duke mbështetur finalizimin e dashurisë në familje të shëndetshme.

Qendrat tregtare operojnë në një industri gjithnjë e më konkurruese. Kjo lidhet me numrin e lartë të tyre, futjen e kanaleve alternative të shitjes, si interneti, por edhe me ndryshimin e jetesës së konsumatorit.

Përpos kësaj dallimi midis blerjeve dhe argëtimit po bëhet gati i padukshëm, pasi për qendrat tregtare blerja shoqërohet në mënyrë të pandashme me aktivitete argëtuese të kohës së lirë. Kjo vjen në një kohë kur klientët kanë gjithmonë e më pak kohë të lirë dhe kërkojnë të realizojnë sa më shumë gjëra në sa më pak kohë.

Përpos eventit të 14 Shkurtit, znj. Korimi flet edhe për organizimet në vijim: “Në qendrat tona do të vijojmë të fokusohemi tek eventet gjatë gjithë vitit. Evente që lidhen me sezonalitetet dhe me interesin që shfaq komuniteti. P.sh. shumë shqiptarë jetojnë me futbollin në zemër, ndaj një seri eventesh që lidhen me futbollin, basketbollin do të krijohen në bashkëpunim me Federatat përkatëse”.

Evente të tjera që planifikohen janë Kampionati i Shahut, zbulimi i talenteve të vegjël, një event mode që ka për qëllim të zhvendosë koleksionet e dyqaneve në një pasarelë, evente që lidhen me librin dhe kulturën e të lexuarit etj.

ACREM është pjesë e Grupit Balfin, grupit më të madh dhe inovator të investimeve në vend dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon, i cili është i mirënjohur në treg me markat e tij si QTU, Jumbo, Neptun, Spar Albania, markat fashion si Mango, Cortefiel, Okaidi e shumë të tjera. /noa.al/