Transmetuar më 12-02-2018, 15:24

Një 44-vjeçar nga Korça me sindromin “down” dhe i prekur nga disa sëmundje kronike ka humbur jetën dy javë më parë nga gripi në reanimacionin e Spitalit të Korçës, por ngjarja u konfirmua vetëm gjatë kësaj të hëne.

“Vuante prej shumë vitesh nga diabeti dhe sëmundje të tjera të brendshme. Pra është tek kontigjenti i grupit të personave me risk, të cilët theksohen me forcë që duhet të vaksinohen patjetër. Gripi nuk duhet nënvlerësuar dhe vaksina parandalon vdekjen dhe parandalon format e rënda”, thotë Artan Simaku, nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Shqipëria klasifikohet ndër vendet me intensitetin më të lartë të të prekurve nga visuri i gripit në këtë periudhë. Sipas specialistëve të ISHP, tanimë jemi në pikun e epidemisë, ku javën e fundit janë raportuar 23 mijë të prekur me infeksione respiratore.

Por, paralelisht me epideminë e gripit në Shqipëri po qarkullon edhe virusi i fruthit. Numri i fëmijëve ka shkuar në 67, por zyrtarisht kjo nuk konsiderohet epidemi.

Një javë më parë një foshnje 8-muajshe me pneumoni humbi jetën për shkak të komplikacioneve, ndërkohë që shumë fëmijë, të cilët nuk e kanë mbushur moshën për vaksinë frekuentojnë çerdhet.