Transmetuar më 12-02-2018, 14:54
Publicitet

Parku i Liqenit të Farkës është pasuruar sot edhe me 200 pemë të tjera, në sajë të kontributit të nismës “Fundjavë Ndryshe”, e cila iu përgjigj thirrjes së Bashkisë së Tiranës për t’iu bashkuar aksionit të gjelbërimit të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi vullnetarët të cilët vendosën që kontributet e tyre t’i përdorin për një tjetër nevojë që ka shoqëria jonë, siç është gjelbërimi.

“Më pëlqen që sot po adresojmë këtë nevojë, që është në fakt nevoja ulëritëse e një qyteti për më shumë hapësira të gjelbra”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se me investimet e realizuara në këtë zonë, por edhe me pemët e mbjella gjatë këtyre muajve, Liqeni i Farkës po shndërrohet në destinacion argëtimi dhe frymëmarrje e dytë për qytetin e Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi edhe një herë qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe ngjarjet e tyre më të rëndësishme t’i përjetësojnë duke mbjellë një pemë. Në mënyrë të veçantë, ftoi të dashuruarit që 14 shkurtin ta festojnë edhe duke mbjellë një pemë si dëshmi e dashurisë së tyre.

“Shpresoj shumë që sot të kemi dhënë një kontribut për diçka që brezat e tjerë do e konsiderojnë si parkun e dytë të madh të Tiranës. Secili mund të gjejë një sebep që mund të jetë 14 shkurti për ata që dashurohen, mund të jetë 7-8 marsi për Ditën e Mësuesve dhe Nënës, mund të jetë çfarëdo lloj arsye, një i porsalindur, një rast përkujtimor, një përvjetor, për ta përdorur për të mbjellë”, shtoi ai.

Veliaj tha se kur mbeten edhe pak më shumë se 1 muaj nga mbyllja e sezonit të mbjelljeve, Bashkia e Tiranës është duke iu afruar synimit për të mbjellë 100 mijë pemë.

“Jemi shumë afër rekordit tonë me 100 mijë pemë dhe besoj që falë kontributit që na u dha sot, jo vetëm do e kapim, por do e kalojmë këtë rekord deri në 21 mars. Kur secili jep aq sa ka mundësi, të gjitha organizatat, komunitetet, shkollat, kopshtet, çerdhet, pallatet që po ndihmojnë, mund të kemi realisht një qytet ku kanë kontribut të gjithë, jo vetëm Bashkia që e ka për detyrë, por secili që e ndien se do të lërë një shenjë në qytetin e vet”, deklaroi Veliaj. /a.y/noa.al

Loading...