Transmetuar më 12-02-2018, 14:06

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është deklaruar sot në krah të artistëve në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe kauzës sipas tij tërësisht të drejtë për godinën e Teatrit Kombëtar. Në një deklaratë për mediat, Basha ka paralajmëruar kryeministrit Rama, duke i kërkuar të tërhiqet sa më shpejt nga “plani ogurzi për ndërtimin e kullës te teatri”.

“Teatri nuk janë tullat, teatri janë artistët, është Ndrenika dhe kolegët e tij. Paralajmëroj Ramën që ka 20 vjet që planifikon të ndërtojë kullë te Teatri Kombëtar, e paralajmëroj të tërhiqet nga plani ogurzi, asnjë veprim nuk mund të kryhet pa vendosur më parë artistët”, u shpreh Basha.

Më tej kryedemokrati tha se Rama po përpiqet të bëjë sovjetizimin e teatrit, përmes bordeve të kota që zgjidhen nga ministri. “Artistë do të jenë ata që do të zgjedhin gjithçka, drejtuesit e tyre dhe shpenzimin e të ardhurave. Duhet një decentralizmin dhe dhënie e pushtetit të plotë për vendimmarrjet e tyre”, tha ai.

Ndërsa i pyetur nga media për rikthimin e ish- deputetit Astrit Veliaj në Kuvend pas heqjes dorë nga mandati të deputetit Eduard Halimi, Basha deklaroi se ai është numri dy i listës së PD në Berat. 

“Për shkak të kuotave gjinore, kjo është një çështje që e vendos KQZ-ja. Pra se kush do e marrë mandarin është çështje e KQZ dhe vullnetit të personave përkatës”, shtoi Basha. /b.l/noa.al/