Transmetuar më 12-02-2018, 13:40

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së PD-së ka folur për një sërë çështjes, ndër të cilat edhe për çështjen e “Tahirit”.

Gjatë fjalës së tij Basha ka sqaruar edhe arsyet sepse opozita do të kërkojë një komision hetimor në parlament për Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe të gjithë të përfshirët në mbjelljen e kanabisit dhe trafikut të drogës.

“Grupi i PD ka marrë venmdimin të dorëzojë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për drogën dhe Tahirin. Kjo ka marrë mbështetjen dhe do të depozitohet ditën e sotme. I gjithë opinioni e di se në dy vite kur vendi shndërrohej në hambar të drogës, ministria e Brendshme, Policia, ishin në disponim zyrtar të informacionit, ishin në dijeni se kjo bëhej me përfshirjen e drejtëpërdrejtë të Policisë së Shtetit dhe me bekimin e atyre, kupolës më të lartë të shtetit.

Edi Rama e ka pasur këtë info mbi tavolinë, e ka pasur Tahiri, e ka pasur Çako në mënyrë zyrtare nga institucionet e huaja si Interpoli, Europoli, nga media, gazetarët kurajozë që kanë shkuar deri në parcelat e drogës”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i PD-së deklaron se qeveria dhe Edi Rama kanë vendosur t’i varrosin këto fakte në kasafortë sepse sipas tij droga është bërë me dijeninë, mbrojtjen dhe bekimin e kryeministrit dhe kjo është arsyeja pse Rama e ka shkelur rregulloren dhe s’ka lejuar arrestimin e Tahirit.

“Ndërhyrja në rastin Habilaj do të jetë objekt i këtij hetimi parlamentar dhe masat që Rama ka marrë që përgjegjësit e këtij skandali të mos dalin në pah. Kanë blerë pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky do të jetë objekti i këtij komisioni. Ndërhyrja e ekzekutivit do të jetë pjesë e këtij hetimi parlamentar", tha Basha./b.l/noa.al/