Transmetuar më 12-02-2018, 11:01

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas takimit që pati mëngjesin e sotëm, doli në konferencë për mediat bashkë me komisionerin për Emigracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopulous.

Në fjalën e tij Xhafaj tha se e njohu mysafirin me reformat e bëra në vend, duke nënvizuar se vizita e Avramopulous vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke thënë se shpreh mbështetjen e BE për reformat e marra në Shqipëri.

Ai tha se njohu mysafirin me rezultatet e luftës kundër kanabis, duke deklaruar se Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis.

“Me operacioni ‘Forca e ligjit’, rezultatet e para janë inkurajuese. E njoha me faktin se Policinë e Shtetit do e sjellin më standardet evropiane, por edhe për vettingun në polici që sapo e kemi nisur”, u shpreh Xhafaj.

Nga ana e tij Avramopulous deklaroi se ka parë progresin e madh që ka bërë Shqipëria vitet e fundit.

“Uroj që së shpejti Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane. Do të kisha dëshirë të qëndroja më gjatë por ndoshta do rikthehem se shpejti. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane, historikisht, gjeografikisht”, u shpreh komisioneri i BE.

Avramopulous deklaroi se vetëm javën e shkuar Komisioni Europian, publikoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar një axhendë ambicioze, sidomos për Shqipërinë.

Sipas tij, Shqipëria tani ka një dritare shumë të rëndësishme dhe historike, për ta lidhur në mënyrë të fortë dhe të gjithmonshme historinë e saj me BE.

“Ndoshta të gjithë e kujtojnë se si e ka parë bota Shqipërinë deri para pak vitesh. Sot jam i impresionuar nga çdo gjë që keni arritur tashmë për drejtësinë dhe çështjet e brendshme. Dëshiroj të falënderoj autoritetet shqiptare për përparimet që kanë bërë”, deklaroi ai.

Avramopulous shtoi se dëshirohet vërtetë është që Shqipëria të vijë sa më afër BE.

Ai përgëzoi Shqipërinë për përpjekjet që ka bërë e menaxhimin e fluksit të migracionit të parregullt. Por Avramopulous nuk kurseu një paralajmërim të fortë lidhur me liberalizimin e vizave. 

“Duhet të ulni numrin e atyre personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave, sepse besoj që të gjithë ne duam ta ruajmë dhe ta kemi procesin e liberalizimit të vizave”, deklaroi ai.

Avramopulous tha se mirëpret me kënaqësi që provohet bashkëpunimin lidhur me çështjet e sigurisë, kundër trafikimit, krimit të organizuar, duke inkurajuar që lufta  kundër krimit të organizuar të vazhdojë.

“Dëshiroj të mirëpres edhe procesin e kualifikuar të vettingut në polici, kemi pasur vërtetë progres këto kohë. Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë BE, e ardhmja e Shqipërisë do të bëjë të mundur stabilitetin, progres, rritje, zhvillim etj”, deklaroi Avramopulous. /a.y/noa.al