Transmetuar më 11-02-2018, 14:37

Bisedimet zyrtare midis Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe veçanërisht ndarjen e kufirit detar, duket se janë realizuar pa dakordësinë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Burime nga Presidenca konfirmojmë se deri më tani nuk është kërkuar asnjë dokument për Plotfuqishmërinë nga kreu i Shtetit për marrëveshjen e detit me shtetin fqinj.

Pak ditë më parë, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi tha se do të kërkonte informacion nga Presidenti nëse ishte marrë "Plotfuqishmëria" dhe nëse kjo nuk ka ndodhur do ta dërgonte marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu më herët ka reaguar edhe ish- presidenti Nishani që thekson se deri më 24 korrik, ditë kur ai i lëshoi zyrën Presidentit Meta, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë”.

“Deklaroj se deri më 24 korrik 2017 në Institucionin e Presidentit të Republikës nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë” ndonëse tashmë shihet qartë se negociatat dhe bisedimet janë zhvilluar edhe përpara kësaj date.

Nëse pas kësaj date ka një kërkesë dhe nëse kjo “Plotfuqishmëri” është dhënë apo jo, kjo mbetet për tu mësuar”, theksohet në reagimin e Nishanit./b.l/noa.al/