Transmetuar më 11-02-2018, 13:26
Publicitet

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe i Kuvendit, Edi Paloka, i ka kërkuar Prokurorisë që të reagojë pas publikimit në media se ekzistojnë përgjime të bisedave mes dy ministrave aktualë dhe një personi nën hetim.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Paloka shkruan se informacione mbi ekzistencën e përgjimeve të ministrave Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri vijnë edhe nga burime të tjera.

“Në media, ditët e fundit janë ngritur akuza publike se prokuroria zotëron përgjime të dy ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri në komunikime me personazhe të cilat i implikojnë këta dy ministra në afera kriminale dhe korruptive, lidhur me çështjen e inceneratorëve. Biseda ku flitet për shuma të mëdha parash dhe zgjedhjet parlamentare”, shkruan Paloka.

Më tej deputeti demokrat deklaron se pas Saimir Tahirit, këta dy ministra, njihen si dora e Ramës në aferat e tij më të zeza.

“Jo me kot për këta të dy u krijuan dhe dy superministritë të cilat praktikisht përmbledhin shumicën absolute të fondeve të gjithë qeverisë. Informacione mbi ekzistencën e përgjimeve të këtyre ministrave vijnë dhe nga burime të tjera.

Prokuroria duhet patjetër të reagojë e të prononcohet nëse janë apo jo të vërteta çfarë ngrihet nga mediat dhe pse nuk veprohet. Çfarë pritet që Rama të sanksionojë me ligj paprekshmërinë e ministrave të tij duke legjitimuar rastin Tahiri ...???”, përfundon Paloka. /b.l/noa.al/