Transmetuar më 11-02-2018, 11:37

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar fitoren e Sanremos të kantautorit shqiptar Ermal Meta, por ndërkohë thekson që këto janë ditë të vështira për banditët në krye të vendit.

Përmes një mesazhi në faqen e tij në Facebook, Basha shkruan se triumfi i Ermalit na kujton se ka shqiptarë me talent, me energji që dinë të ecin përpara. Mes të tjerash kreu i demokratëve pohon se ky është modeli që na bën krenar dhe na frymëzon si shqiptarë.

“Në këto ditë të vështira kur banditët janë në krye të vendit, një kantautor i ri, Ermal Meta na fali gëzim duke triumfuar në Festivalin prestigjoz të Sanremos. Triumfi i Ermalit na kujton se ka shqiptarë me talent, me energji që dinë të ecin përpara. Shqiptarë të ndershëm, krijues, të suksesshëm, njerëz të zotë dhe me vlera ka plot mes nesh, por pak bien sot në sy, sepse lajmet për Shqipërinë dhe shqiptarët i dominojnë zullumi, trafikantët dhe qeveritarët banditë”, shkruan Basha.

Më tej ai thekson se “E nesërmja i takon shumicës dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm dhe me vlera. Triumfi i Ermalit është një përmendore e vlerave të vërteta të tyre. E përgëzoj nga zemra Ermal Metën për çmimin e fituar me talentin dhe punën e tij, dhe i uroj për suksese të tjera më tej! Ky është modeli që na bën krenar dhe na frymëzon si shqiptarë”. /b.l/noa.al/