Transmetuar më 11-02-2018, 10:52

Ermal Meta arriti të rrëmbente trofeun e "Sanremo 2018", bashkë me kolegun e tij Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente".

Mes emocioneve të mëdha, këngëtari shqiptar nuk i fshehu kurrsesi emocionet në skenë, që tani do të përfaqësojë Italinë në Eurovizion i cili do të mbahet në muajin maj në Portugali.

"Është emocion i papërshkrueshëm. Çmimin ia kushtoj shtëpisë time diskografike që ka besuar te unë atëherë kur askush tjetër nuk besonte", tha Meta, shkruan Ansa.

Ndërkohë këngëtari italian Fabrizio Moro tha se këngën ia dedikonte djalit të tij, që e ndiqte nga salla.

Kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro është kënga më e shkarkuar në iTunes dhe kënga më e dëgjuar në Spotify dhe platformat e tjera.

Meta dhe Moro e shkruajtën tekstin e këngës së tyre pas atentatit në Manchester, në koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande.

Ditët e fundit, kënga ishte në qendër të polemikave sepse akuzohej për shkelje të rregullave të Festivalit, për shkak se kishte ngjashmëri me një këngë të prezantuar në vitin 2016, autor i së cilës ishte Moro.

Në fund produksioni vendosi që "Non mi avete fatto niente" mund të vijonte garën. Për të dy artistët kjo ishte hera e parë që fitonin çmimin e madh në Festivalin e Sanremos./b.l/noa.al/