Transmetuar më 10-02-2018, 13:19
Publicitet

Deputetja demokrate Albasna Vokshi deklaron se sot është data 10 shkurt dhe asnjë pedagog dhe staf në universitetet publike, nuk kanë marrë ende pagat.

Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Arsimit, në një dalje nga selia blu ditën e sotme, ajo tha se janë 15 mijë familje, të cilave qeveria u ka shkelur kontratat dhe askush nuk mban përgjegjësi, duke nënvizuar se kur qytetarët shkelin kontratat dhe nuk paguajnë dritat dhe ujin përfundojnë në burg.

Sipas saj, ministrja e Arsimit dështoi sot të japë përgjigje persë pedagogët nuk janë paguar për punën e tyre dhe se Ndjesa e saj është hipokrite.

“Ajo lau duart si Ponc Pilati dhe nuk pranoi se ajo është përgjegjësja dhe shkaktarja kryesore e kësaj situate që fakton se ligji i arsimit të lartë ka dështuar. Për shkak se Ministrja e Arsimit nuk ka nxjerrë qëllimisht aktet nënligjore, që do të lejonin pagesën për mbi 15 mijë pedagogë dhe stafit të administratës së universiteteve publike, ka nga ata pedagogë që kanë kërkuar borxh për të paguar faturat e familjeve të tyre”, u shpreh Vokshi.

Më tej bëri me dije se të enjten, në seancën e parlamentit, ka kërkuar që ministrja Lindita Nikolla të raportonte urgjentisht në lidhje me këtë problem, i cili sipas saj, është unikal në llojin e tij në botë, madje edhe për regjimet më autokratike.

Vokshi tha se ministrja në shkelje të përsëritur të Rregullores së Kuvendit, nuk u paraqit në seancë dhe se njësoj si sot, ajo nuk dha asnjë shpjegim për kolapsin financiar të Universiteteve publike.

“I gjithë sistemi i arsimit të lartë publik është paralizuar prej mungesës së akteve nënligjore, të cilat duhet të ishin miratuar që në prill të 2016. Ky është shpërdorim i qartë i detyrës nga Ministrja e Arsimit, e cila me mosveprimin e saj është subjekt i nenit 248 të Kodit penal për shpërdorim detyre, sepse në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka dëmtuar interesat e ligjshme të 15 mijë shtetasve”, tha ndër të tjera deputetja demokrata.

Ajo deklaroi në vijim se Edi Rama po shkatërron të gjithë sistemin arsimor dhe se po përpiqet të vërë nën kontroll artistët, të pengojë të rinjtë të arsimohen, të shkatërrojë trashëgiminë kulturore “Pra të mbajë të nënshtruar elitën dhe rininë”.

Ndër të tjera tha se prej papërgjegjshmërisë së dyshes Edi Rama dhe Lindita Nikolla sot, 15 mijë familje janë pa të ardhurat që ju takojnë me ligj dhe mijëra të rinj nuk kanë mundësi të arsimohen për shkak të tarifave të rritura.

“Prej papërgjegjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, kërkimi shkencor ka ndalur. Përçmimi për elitat ka bërë që prej 3 vitesh në Shqipëri të mos jepen tituj shkencorë. Prej papërgjegjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, studentët janë pa karta e nuk marrin dot kredi studentore. Prej papërgjegjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, rektoratet janë kthyer në burime konfliktesh kompetencash apo edhe fizike”, tha deputetja demokrate.

Ajo shtoi se prej papërgjegjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, autonomia e Universiteteve Publike është cenuar rëndë.

Në mbyllje të fjalës së saj Albana Vokshi deklaroi se, Partia Demokratike do të jetë në mbështetje të pedagogëve, artistëve, rinisë  për të mos lejuar nëpërkëmbjen e tyre dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre. /a.y/noa.al

 

Loading...