Transmetuar më 10-02-2018, 10:58

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vizituan spitalin e Kukësit për të parë nga afër funksionimin e patronazhimit, i cili pritet të vijojë për afro një vit, kur do të përfundojnë dhe 300 specializantët e parë, të cilët do plotësojnë vakumet në të gjithë sistemin.

Banorët e këtij qyteti dhe jo vetëm nuk kanë më nevojë të udhëtojnë deri në Tiranë për një shërbim më të specializuar mjekësor, pasi prej një muaji Spitali Rajonal i Kukësit patronazhohet nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Patronazhimi bëhet me sistem rotacioni çdo javë për shërbimet Neurologji, Endokrinologji dhe Reumatologji.

Kreu i qeverisë Edi Rama, thotë se “Tani do vijë Tirana këtu dhe do shkojë Tirana në të gjitha spitalet ku ka nevojë për mjekë specialistë, sepse deri në janar 2019 na duhet të bëjmë këtë gjë. Pastaj do vijnë mjekët specialistë që do jenë full time çdo ditë”.

Programi i patronazhimit përmbyll jo vetëm konsulta dhe ekzaminime, por edhe ndërhyrje kirurgjikale. Nga ky program kanë përfituar vetëm gjatë muajit janar mbi 1 mijë pacientë në Dibër, Kukës, Fier, Korçë, Gjirokastër, Burrel dhe Vlorë.

Përveç patronazhimit, qeveria ka nisur edhe zbatimin e programit të bonusit deri në 2.5 milionë lekë për çdo mjek që punon larg vendbanimit të tij. Tashmë kjo nismë është bërë realitet edhe në spitalin e Kukësit.

“Për herë të parë në spitalin e Kukësit vjen nëpërmjet programit të bonusit, me masën e re të bonusit që miratuam në qeveri me 250 mijë lekë, një mjek kirurg i dedikuar për spitalin e Kukësit që do të mbulojë të gjitha kirurgjitë dhe do të qëndrojë 24/7 on call për të gjitha problemet kirurgjikale që mund të kenë banorët e Kukësit, por dhe të Hasit dhe të Tropojës, për të kryer të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale në këtë spital,” tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Kryeministri deklaroi se për të gjithë rastet kur mjekë specialistë të nivelit që do pranojnë të shkojnë në spitale të tjera ku s’ka mjekë specialistë, do të jepet një bonus, plus rrogës, që të marrin aq sa marrin kur shkojnë ditën e parë në Gjermani e Itali, po qe se kanë fatin të gjejnë punë.

“Kjo po funksionon. Ndërkohë, edhe patronazhimi po funksionon, sepse po ulet jashtëzakonisht fluksi i njerëzve që duhet të vijnë në Tiranë, sepse do i marrin shërbimet tani nëpër spitalet rajonale. Në janar të 2019-ës, më në fund do dalin mjekët specializantë që plotësojnë të gjithë nevojat në të gjithë territorin,” u shpreh Rama.

Gjatë qëndrimit në Kukës këtë të premte, Kryeministri vizitoi dhe Ujësjellësin e ri në Orgjost, i cili pritet të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë për afro 1 mijë banorë të këtij fshati.

Rama falënderoi në radhë të parë banorët e këtyre zonave, si kontributorët kryesorë për mirëmenaxhimin e ujësjellësit.

“Kjo është çështje që secili të paguajë atë që konsumon, në mënyrë që pastaj me kontributet e përbashkëta ndërmarrja të fuqizohet pak nga pak, të vazhdojë të bëjë investime, të vazhdojë të rrisë cilësinë e furnizimit dhe askush të mos jetojë në kurrizin e tjetrin. Për fat të keq, ata që ankohen më shumë nuk janë ata që janë më të varfër, ose ata që janë më të drejtë, por janë ata që kanë qejf vetëm të flasin dhe ankohen, që ose kanë jetuar duke marrë ujin në rrugë të paligjshme, ose pastaj rrinë atje në Facebook dhe torolisen në luftën kundër varfërisë pa lidhje,” u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri tha se bukuritë natyrore të kësaj zone duhen shfrytëzuar për t’i kthyer në një atraksion për turistët, gjë që do ndikonte dhe në rritjen e mirëqenies për vetë banorët.

Ai deklaroi se do ti jepet një shtytje programit të agroturizmit, duke nënvizuar se në këtë zonë ka perla që mund të bëhen të vizitueshme vetëm duke krijuar pika tërheqëse për njerëzit që, jo thjesht të vijnë për të parë, por të mund të rrinë, të flenë, të hanë produktet e fermës së vogël edhe të shijojnë gjithë këtë mrekulli.

“Kështu që, në këtë pikë, duhet të punojmë pak më shumë dhe duhet t’iu drejtohemi edhe investitorëve e sipërmarrësve që janë nga zona,” deklaroi më tej Kryeministri Edi Rama. /a.y/noa.al