Transmetuar më 10-02-2018, 08:39

Prej kohësh policia e ka kthyer në zakon që të bëjë kontrolle të befta në rrugë gjatë fundjavave, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit.

Natën mes të premtes dhe të shtunës, kontrolli është ndalur në autostradën Tiranë- Durrës.

Policia Rrugore e Tiranës ka dalë me radar për të matur shpejtësinë e lëvizjes, ndëshkimin e atyre që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, dy apo tre herë më shumë se limiti i lejuar, të cilët janë burim aksidenti, rrezik për jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës.

Siç mund të shihni në videon më poshtë, një drejtues mjeti ecte me shpejtësi skëterrë 191 km/orë, duke u cilësua si diçka e pa tolerueshme. 

Gjithashtu janë pezulluar për tejkalim shpejtësie 21 leje drejtimi, për shpejtësi që varionin nga 167 km/orë e deri në 211 km/orë.

Policia Rrugore e Tiranës thotë se është e orientuar qartë, në përmbushje të objektivit parësor, rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë dhe jo atë të sasisë së masave administrative.

Apelohet që drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që të mënjanojë çdo rrezik për sigurinë e tij, të këmbësorëve dhe mallrave, dhe çdo çrregullim tjetër të mundshëm në trafik.

Shpejtësia duhet të jetë në përputhje me karakteristikat, gjendjen, ngarkesën e mjetit, si dhe karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, etj.

Gjendja teknike e mjetit duhet të jetë e tillë që të përballojë të gjitha manovrat e nevojshme në kushte të sigurta.

Për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e përdoruesve të rrugës, shpejtësia nuk duhet të kalojë limitet e mëposhtme:

110 km/orë për autostradat;

90 km/orë për rrugët interurbane kryesore;

80 km/orë për rrugët interurbane dytësore e rrugët lokale interurbane;

40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, se vetëm kështu mund të udhëtosh i sigurt. /a.y/noa.al