Transmetuar më 09-02-2018, 13:57

HEC-i në lumin Osum nuk do të ndërtohet dhe Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit do të revokojë lejen që është dhënë në kundërshtim me filozofinë e zonave të mbrojtura.

Këtë deklaratë e bëri sot ministri Blendi Klosi, gjatë inspektimit në terren në Kanionet e Osumit.

Ministri Klosi e cilësoi vendimmarrjen jashtëzakonisht të dënueshme që ka sjellë vepra të tilla që kanë ardhur si pasojë e mënyrës se si kanë funksionuar institucionet, "me disa lloj partish e disa lloj tepsish".

Ai deklaroi se kjo është një vepër monstruoze ndaj mjedisit dhe do të frenohet me çdo kusht.

"Duhet të kuptoni që kjo mënyra se si kanë funksionuar institucionet brenda tij, me disa lloj pengesash, me disa lloj partish me disa lloj tepsish kanë sjellë që edhe vepra si kjo e sotmja, me një vendmarrje jashtëzakonisht të dënueshme”, u shpreh Klosi.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se do të vazhdojnë të gjitha procedurat ligjore për ndjekje penale jo vetëm për ata zyrtarë që kanë falsifikuar dokumentet por edhe për firmën ndërtuese, e cila ka manipuluar koordinatat.

“Ne do të çojmë për ndjekje penale çdo njeri, këdo zyrtarë të shtetit që ka ndërtuar dhe ka lejuar që në disa dokumente të falsifikuara, të ndërtohet dhe të jepen këto leje mjedisore e pastaj leja e shfrytëzimit të ujit e pastaj leja në ndërtimin e këtij HEC-i po njëkohësisht do të kërkojmë edhe ndjekje penale për kompaninë e cila ka manipuluar koordinatat”, deklaroi Klosi.

Ai shtoi se shteti nuk mund dhe nuk do të funksionojë në kurriz të taksapaguesve.

A do prishen nga hidrocentralet? Rama i prerë: Kanionet e Osumit, nuk preken

Kanionet e Osumit do të shndërrohen në hidrocentrale? Flet për herë të parë ministri Klosi

Hidrocentrale në kanionet e Osumit? Deputeti socialist shpërthen me deklaratë

Kanionet e Osumit në rrezik, qeveria miratoi në heshtje dy hidrocentrale /a.y/noa.al