Transmetuar më 09-02-2018, 10:28

Kryeministri Edi Rama thotë fjalën e fundit lidhur me atë që përflitet prej kohësh se nga ndërtimi i hidrocentraleve, do të shkatërrohen kanionet e Osumit.

Në një postim të bërë në profilin e tij në Facebook paraditen e sotme, kreu i qeverisë shkruan se “Kanionet e Skraparit nuk preken!”

Sipas tij, qysh kur u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore.

Rama bën me dije se rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara dhe se individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.

“Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë”, shkruan ai.

Më tej thotë se, asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por shprehet se qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar.

“Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”, thotë në mbyllje Edi Rama. /a.y/noa.al

Kanionet e Osumit do të shndërrohen në hidrocentrale? Flet për herë të parë ministri Klosi

Hidrocentrale në kanionet e Osumit? Deputeti socialist shpërthen me deklaratë

Kanionet e Osumit në rrezik, qeveria miratoi në heshtje dy hidrocentrale