Transmetuar më 08-02-2018, 15:58

Një adoleshent pesëmbëdhjetë vjeçar u arrestua nga policia në Pakistan me akuzat e rënda për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze të vogël, katër vjeçe, e cila jetonte në krahinën veriperëndimore të Khyber Pakhtunkhwa.

Krimi, i cili ndodhi në janar, ka ngjallur reagime të forta te opinioni publik, sepse ishte ngjarja e dytë e ngjashme e regjistruar në pak ditë. Para Asmas, një tjetër vajzë shtatëvjeçare me emrin Zainab vdiq në duart e një vrasësi serial, fëmija u përdhunua, u vra dhe trupi i saj u hodh në mbeturina.

Djali pranoi vrasjen, tha Inspektori i përgjithshëm i policisë, Salahuddin Mehsud, i cili deklaroi se adoleshenti u arrestua për vdekjen e Esmas pas një testi të ADN-së kryer mbi një njollë gjaku të rënë në një gjethe afër vendit të ngjarjes në periferi të Mardanit, në Pakistan.

Para hetuesve, 15 vjeçari ka pranuar se ka përdhunuar vajzën dhe, pasi ajo kishte filluar të ulërinte dhe qante, ai është përpjekur t’i mbyllë gojën me duart e tij deri sa në fund e ka mbytur.

Rastet e vajzave, të rinjve dhe grave të vrara pas episodeve të dhunës seksuale janë një fenomen shumë i madh në Pakistan. Në orët e fundit një gjykatë në provincën jugore të Sindh ka dënuar me vdekje mësuesin e një seminari islamik që në vitin 2014 përdhunoi dhe vrau një vajzë 10 vjeçe. /b.l/noa.al/