Transmetuar më 08-02-2018, 13:30

Këngëtari shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro janë rikthyer në garën e Sanremos pasi u pezulluan një ditë më parë nën dyshimet se kënga e tyre ishte plagjiaturë.

Lajmi është bërë më me dije përmes një konference për shtyp nga salla e famshme e Ariston. Organizatorët e festivalit italian të këngës Sanremo shpjeguan se pas vlerësimeve të ndërmarra nga ana e tyre Rai ka arritur në konkluzion se kënga e Ermal Mera dhe Fabrizio Moto nuk duhet të përjashtohet nga gara.

Mediat italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv/drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.

“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, u shpreh zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.

Lidhur me vendimin për pezullimin, më herët ka reaguar edhe vetë Ermal Meta në Facebook ku shkruan: “Është momenti për të folur. Kemi dëgjuar për plagjiaturë ndaj këngës sonë në Sanremo. Fabrizio, unë dhe Andrea Febo, kemi krijuar një këngë krejt tjetër”.

Ai shton se ai dhe Fabrizio Moro nuk kanë shkuar në Sanremo për t’u tallur me njerëzit. Në vijim thotë se debati nisi për shkak të një kënge të para tre viteve që nuk u bë e famshme kurrë dhe që bashkë me autorin Andrea Febo vendosën të mos e humbasin, por që ta shndërrojnë në diçka të re, me një domethënie të re.

“Plagjiaturë do të thotë të kopjosh, por është absurde dhe qesharake, duke qenë se Andrea Febo e ka shkruar bashkë me mua dhe Fabriozo ‘Non mi avete fatto niente’. Ndër të tjera që të dy jemi autorë prej shumë vitesh dhe kemi shkruar shumë këngë. Kush i njeh e di. Na vjen keq për atë që po ndodh, pasi nuk kemi ardhur në festival për t’u tallur me njerëzit, por për t’i përqafuar. Jemi të sigurtë se gjithçka do shkojë më së miri”, mbyll qëndrimin e tij Meta. /b.l/noa.al/