Transmetuar më 08-02-2018, 11:10

Prej më se 20 ditësh, policia është vënë në kërkim të një vajze rreth 20 vjeçe, e cila mbrëmjen e 14 janarit, braktisi djalin e sapolindur në banjën e aeroportit të Tucson, Arizona.

Vogëlushi u gjet nga një punonjëse e aeroportit në banjën e femrave, i larë dhe i mbështjellë me batanije, ndërsa pranë tij ishte lënë një letër, si apel i dëshpëruar prej nënës së vogëlushit.

Rreshtat e parë të letrës, ishin shkruar sikur të fliste vetë vogëlushi, por më pas ndërhyn nëna, “Më ndihmoni, ju lutem. Mami im, nuk e dinte se ishte shtatzënë. Është e pazonja dhe e papërshtatshme për t’u kujdesur për mua. Ju lutem, më dorëzoni tek autoritetet, në mënyrë që të më gjejnë një shtëpi të mirë. Dua vetëm atë që është më e mira për të, dhe më e mira nuk jam unë. Ju lutem. Më vjen keq”.

Në banjë u gjetën edhe një kanotiere e bardhë, një palë mbathje dhe pantallona të zeza, të gjitha me gjak dhe lëngje trupore.

Menjëherë pasi u gjet vogëlushi u dërgua në spital, ku ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Policia ka dhënë detaje për rastin, pas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, ku gruaja shihet në korridoret e aeroportit, duke iu drejtuar banjës me foshnjën në krahë, shkruan noa.al.

Arizona është një shtet që për të shpëtuar të sapolindurit, i lejon prindërit që ti dorëzojnë në vende të caktuara të njohura si “streha të sigurta”, si pikat e zjarrfikësve, spitalet, agjencitë e adoptimit, kisha etj. Prindërve u garantohet anonimati, me kusht që t’iu përgjigjen disa pyetjeve për foshnjën, lidhur me shëndetin dhe historinë e tij, por gruaja në aeroportin e Arizona, nuk bëri asnjë nga këto. /a.y/noa.al