Transmetuar më 08-02-2018, 09:00
Publicitet

Familjet që kanë në përdorim një pus uji, brenda 6 muajve, duhet të lidhin një kontratë me Ujësjellësin, për vendosjen e matësve të ujit ose do të përballen me ndëshkimet ligjore.

Mazhoranca pritet të miratojë sot në Kuvend ndryshimin ligjor për “Menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku parashikohet edhe vendosja e matësve të ujit për të gjithë personat, që posedojnë puse uji për qëllime familjare apo biznesi.

Propozimi i Ministrisë së Bujqësisë, sipas përfaqësuesve të shumicës, synon formalizimin e të gjithë shfrytëzuesve të ujërave nëntokësore.

Gjatë diskutimit të ligjit në Kuvend, përfaqësuesi i qeverisë shpjegoi se ende nuk është vendosur një nivel për tarifat që do të aplikohen për konsumatorët që kanë në përdorim puse uji, por pritet që tarifa të jetë minimaliste pasi synon formalizimin.

Këto ndryshime ligjore, të propozuara nga qeveria, u shoqëruan me pakënaqësinë e fermerëve, të cilët, në një pjesë të madhe të tyre, kanë hapur puse uji për të mundësuar ujitjen e produkteve të tyre.

Opozita kërkoi në Kuvend përjashtimin nga këto ndryshime të familjarëve dhe fermerëve, por maxhoranca e rrëzoi këtë propozim. Sipas qeverisë, synimi kryesor i këtij ndryshimi ligjor është formalizimi për konsumatorët e ujit të pijshëm.

“Nisur nga problematika aktuale, ku një numër i madh subjektesh fizike apo juridike kanë hapur puse për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore, ka lindur nevoja e formalizimit të kësaj veprimtarie nëpërmjet lehtësimit të procedurave të formalizimit të tyre. Afati,

brenda të cilit subjekteve iu jepet e drejta e formalizimit, do të jetë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit. Subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar, nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer”, thuhet në

propozimin e bërë nga qeveria, shkruan ‘panorama’.

Loading...