Transmetuar më 07-02-2018, 13:32

Pas përfundmit të zgjedhjeve, Bashkim Fino ka uruar Armando Dukën për fitoren e mandatit të 5-të në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. 

Por pavarësisht kësaj ai thotë se ky proces ishte i parregullt, pasi lista e anëtarëve duhet të ishte e pavarur. Duke folur për mediat, pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, Fino deklaroi se nuk e ka surprizuar rezultati i zgjedhjeve në FSHF, të cilat rikonfirmuan si President Armando Dukën.

Sipas tij rezultati do të ishte tjetër nëse 14 shoqatat nuk do të ishin futur në mënyrë të paligjshme. Aio tha se do të vazhdojë betejën ligjore në të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri në FIFA.

“E prisja diçka të tillë, po të shikoni dhe diferencën prej 14 votash janë ato që kemi thënë, 12 shoqatat ilegale në këtë votim. Ne do të vazhdojmë procesin tonë ligjor nuk diskutohet.Vendosja e disa ekipeve të cilat nuk kanë pikë si Pojani, Vlora, Fieri që në këto momente nuk janë pjesë e lojës dhe futbollit dhe vendosja e delegatëve nga ana e Federatës e cila kishte dhe gurin dhe arrën që bëri dhe listën e shoqatave dhe lista të tjera të këtyre ekipeve që fola unë tregon për diferencën që Duka fitoi sot në këtë zgjedhje.

 Kisha një platformë krejt të ndryshme. Por kur ke listë të pandershme përpara natyrisht që nuk mund të pretendosh më tepër për të thyer rezultatin. Po të mos ishin 12 shoqatat dhe këto 5-6 klube që janë vendosur në mënyrë ilegale nga adminiStrata e Federatës do të kishim një garë më fare-play, më e fortë dhe pastaj do të shikonim se kush ishte platforma më e mirë. Anëtarët e Asamblesë e ngritën çështjen e këtyre shoqatave. Përgjigjia që dhanë juristët këtu kanë konflikt interesi. Këto çështje i kemi në prokurori dhe gjykatë dhe shpresojmë ta çojmë deri në fund për të mirën e futbollit. 

Nuk ka të bëjë me qënien time President apo jo. Do të respektojmë gjykatat shqiptare në fillim dhe pastaj do të vazhdojmë jo vetëm në kas por deri në FIFA. Rezutati është i anëtarëve të Asamblesë që janë certifikuar nga ky komitet që realisht ne  e kontestojmë. Në momentin që e kundërshtojmë që nuk duhet të ishin 12 shoqatat ne do të vazhdojmë  çështjen ligjore. Gjthsesi unë urova zotin Duka pas raundit të dytë”, u shpreh Fino.