Transmetuar më 05-02-2018, 14:41
Publicitet

Pamja jonë e jashtme merr një pjesë të madhe të vëmendjes sonë dhe kur nuk dukemi mirë, nisin shqetësimet dhe parehatia.

Duket se gjumi i pakët ndikon negativisht në pamjen tonë të jashtme, aq sa na bën të dukemi më pak tërheqës dhe të kemi më shumë probleme shëndetësore. Thënë ndryshe, miti se gjumi na zbukuron është i vërtetë.

Këtë fakt e thonë studiuesit e Universitetit të Stokholm në Suedi, të cilët në revistën “Royal Society Open Science” kanë publikuar një studim me titull “Negative effects of restricted sleep on facial appearance and social appeal” (Efektet negative të mungesës së gjumit në pamjen tonë të jashtme).

Studiuesit i dorëzuan një grupi prej 25 studentësh një pajisje në gjendje që ti monitoronte gjatë natës dhe të llogariste orët e gjumit. Më pas atyre iu kërkua që të flinin mirë për dy netë rresht, ose thënë ndryshe të flinin shumë orë, pas të cilave iu bënë disa fotografi.

Një javë më vonë, studentëve iu kërkua të flinin vetëm katër orë gjumë për dy netë rresht, ku u fotografuan sërish.

Imazhet e përftuara iu treguan 122 personave, të cilëve iu kërkua që të shprehnin gjykimin e tyre se sa social ishte ky njeri, sa mund ti besohej dhe se sa i bukur apo i shëndetshëm dukej, shkruan noa.al.

Nga përgjigjet e marra, rezultoi se personat që kishin fjetur më shumë dukeshin më të bukur dhe më të shëndetshëm, në raport me të tjerët. Kështu që nëse doni të dukeni më të bukur, flini pak më shumë. /a.y/noa.al