Transmetuar më 05-02-2018, 11:06
Publicitet

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka firmosur kontratën e koncesionit për rrugën e Arbrit.

Firmosja u bë paraditen e sotme nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë fituese në garë.

Ministri Gjiknuri në fjalën e tij shprehu bindjen se shoqëria, nga çfarë prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve.

“Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se është një vepër që do të kushtojë 240 milionë euro dhe në këtë kontratë është parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare.

Gjiknuri deklaroi se kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

Ai tha ndër të tjera se ka disa projekte të cilat gjatë këtij viti do te tenderohen,  negociohen dhe kontraktohen.

Ministri shprehu bindjen se vitet 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. /a.y/noa.al