Transmetuar më 05-02-2018, 08:49
Publicitet

Banka e Shqipërisë ka lajmëruar emetimin e një kartëmonedhë me vlerë 10 000 lekë të reja ose 100 mijë të vjetra, e cila do të shërbeje si mjet pagesë vetëm në vitin 2020. Aktualisht kartëmonedha është në fazën e dizenjimit dhe konfigurimit, teksa gjatë vitit tjetër do të futën në qarkullim prerje të reja të kartëmonedhave ekzistuese 200, 500 dhe 1000 lekë.

Banka e Shqipërisë njoftoi se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementet teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë.

Mbajtja e cilësisë së kartëmonedhave në nivele të kënaqshme do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it. Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore evropiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor.

Banka e Shqipërisë do të rrisë aftësinë e saj në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Me përmirësimin e kapaciteteve teknike synohet rritja e kapaciteteve administrative të Qendrës Kombëtare të Analizës. Gjithashtu, do të punohet për rritjen e bashkëpunimit në fushën e falsifikimit, duke formalizuar marrëveshje me autoritetet kombëtare dhe evropiane për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë do të punohet për plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian, shkruan ‘monitor’.

Banka e Shqipërisë do të forcojë praktikat e kontrollit dhe masat e mbrojtjes fizike që garantojnë sigurinë dhe pacenueshmërinë e vlerave monetare që ajo administron, në funksion të emisionit dhe thesarit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës. Kjo do të realizohet përmes rishikimit, sa herë që është e nevojshme, të rregullave dhe procedurave të administrimit të vlerave, me qëllim përsosjen e tyre dhe sigurimin e standardeve të cilësisë së parasë në qarkullim, si dhe përmirësimin e mjediseve të depozitimit dhe ruajtjes së tyre.

Loading...