Transmetuar më 05-02-2018, 07:58

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos “kërcënon” Shqipërinë lidhur me çështjen çame.

Ndërsa kërkon që të respektohen të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, ai i cilëson çamët si pjesë të mizorive naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pavlopulos thotë se është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështje çame.

“Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturave çamë gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi. Nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë evropiane. Më vjen keq që jam i drejtpërdrejtë, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit ata guxojnë të flasin për çamët. Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke. Respekti për historinë është baza ndërkombëtare për miqësinë dhe fqinjësinë e mirë”, u shpreh Pavlopulos.

Gjithçka u deklarua prej tij, gjatë vizitës që pati këtë të diel në Shtabin e Forcave Ajrore, në Larisa.

Çështja çame është rikthyer sërish në vëmendjen e dy shteteve, pas takimit të mbajtur në Korçë dy javë më parë nga ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias.

Ministria e Jashtme e Greqisë, thotë se çështja çame nuk është përmendur në takimin e fundit mes Bushatit dhe Kotzias, ndonëse pala shqiptare pretendon se është diskutuar rreth saj. /a.y/noa.al