Transmetuar më 03-02-2018, 21:09

Kryeministri Edi Rama, është duke e kthyer në një televizion të mirëfilltë hapësirën e videove të drejtpërdrejta në rrjetin social Facebook, ku ka faqen e tij personale ediramaal.

Sot, në këtë hapësirë, pak ditë pas Tauland Ballës, u publikua intervista e dytë, ajo me Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Një intervistë, videon e së cilës e gjeni më poshtë, ku Manja i përgjigjet interesimit të publikut mbi pretendimet e ngritura në komision nga përfaqësuesit e opozitës lidhur me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, si edhe propozimet e këtyre të fundit.

Por çfarë po ndodh me ERTV?

Pak javë më parë, kryeministri Rama, foli në një intervistë televizive, mbi atë që ai e quan ERTV ose Edi Rama Televizion.

Ai tha fare hapur se plani i tij ishte që ta shndërronte ERTV në një televizion që nuk do të mbetet vetëm në nivelin e transmetimeve direkte të aktiviteteve të tij.

Kjo deklaratë e bujshme nuk pasoi në pyetje të intervistuesit, duke kaluar në hije.

Por në fakt kjo po ndodh. ERTV nuk po bën vetëm pasqyrim të aktiviteteve. Prej ditësh në ERTV gjenden edhe transmetime të eventeve të tjera, politike dhe sociale ku Rama nuk është i pranishëm.

E tashmë, kemi dhe një studio televizive. Në studio e cila vë në lojë mediat që Rama i quan gjerësisht si kazan.

Në sfond janë tam-tamet, disa megafonë dhe në mes të intervistuesit dhe të ftuarit një shuk me gazeta.

Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të ERTV, kjo pritet të zbulohet pa vonesë. /noa.al/