Transmetuar më 03-02-2018, 20:56
Publicitet

Meqenëse kam marrë sot disa mesazhe nga miq se pse nuk mora pjesë në protestën e thirrur nga Shoqëria civile në lidhje me marrëveshjet e shtetit shqiptar me atë grek, ku përfshihet edhe problemi i detit dhe kufijve të tij

Nga Zamira Çavo

Nuk besoj se ju që ishit në atë protestë e dini dhe e keni të qartë se çfarë po ndodh realisht me ato 12 miljet e famshme.

Unë jam e prirur të besoj profesionistët dhe jo individë që e kanë patriotizmin si strehën e tyre të maskarallëkut.  Jam e prirur të besoj në Konventat Ndërkombëtare dhe në instiktin tonë kombëtar.

Si mund t’i besoj z Berisha që gjoja po na mallëngjehet se po jepet Shqipëria te greku? Po si mund të harroj unë ato çka i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve ky njeri?

Më tej jam e bindur se patriotizmi dhe dashuria për vendin nuk bëhet me ekzibicionizma, por me vepra, me punën e përditshme tonën.

Unë me gjithë respektin e madh që kam për çështjen çame nuk mendoj se një protestë si kjo e sotmja e ndihmon procesin.

Dhe as më shkon ndërmend të mendoj se po në këtë mënyrë, do të zgjidhet kjo çështje.

PO, revolta ime ngrihet ndaj qeverisë së cilës i kërkoj transparencën e plotë të kësaj çështjeje dhe jo deklarata ambigue.

Ata që e frynë këtë çështje ia arritën qëllimit për të krijuar tymnajën e radhës e për të fshehur dorën e tyre.

Edhe këtë radhë thirrën në ndihmë “patriotizmin”.

Është detyrë e qeverisë ta zbardhë çështjen me përgjegjësi institucionale. Pavarësisht kohës diplomatike. Unë respektoj Protestën dhe çdo individ që merr pjesë në të.

Është një e Drejtë e gjithsecilit. Pra edhe e imja.

Por unë kam zgjedhur ta përdor këtë të drejtë kur bindja ime shkon përtej thirrjeve patetike për “tradhti” kombëtare apo falje territoresh.  

Loading...