Transmetuar më 02-02-2018, 18:18
Publicitet

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga gara e FSHF-së, ku Bashkim Fino është njëri prej kandidatëve, ky i fundit ka bërë sot të ditura dy parimet e tij nëse do të marrë drejtimin e kësaj organizate.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Fino u ka premtuar klubeve të cilat sipas tij janë të përjashtuar nga ndarja dhe përfitimi i fondeve të FSHF-së, se kjo situatë do të marrë fund menjëherë sapo ai të vijë në krye të kësaj organizate.

“Dua t'i drejtohem edhe një herë komunitetit të futbollit, posaçërisht atyre klubeve që janë përjashtuar nga ndarja dhe përfitimi i fondeve të komunitetit të futbollit që administron FSHF. Kjo do jetë Asambleja e fundit e mbyllur dhe jo transparente sa i përket çështjes së Buxhetit të FSHF. Dy parime dua të vendos:

E para, transparencë maksimale për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e FSHF.

E dyta, shpërndarja e fondeve do të përmbysë menjëherë raportin e turpshëm ku presidenti dhe administrata e FSHF-së marrin për shpenzimet e tyre të luksit shumicën dërrmuese të fondeve dhe klubet lihen në mjerim ekonomik”, shkruan Fino.

Më tej ai thekson se “dy angazhimet e mia janë konkrete: auditim i plotë për të gjitha shpenzimet e FSHF-së dhe një ndarje e re e fondeve, bashkë me ju dhe duke dërguar shumicën e tyre tek klubet e futbollit, ekipet e tyre, madje duke ndihmuar me to krijimin e zinxhirit të ekipeve.

Dua ta bëjmë këtë bashkërisht, menjëherë dhe në mënyrë të hapur, transparente ku të gjithë të përfitojnë. Karrigia ime nuk ka asnjë vlerë para mjerimit ekonomik të komunitetit të futbollit”./b.l/noa.al/