Transmetuar më 02-02-2018, 08:52

Kërcënim me vdekje për ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili ka marrë një letër me mesazhin e rëndë.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas, duke folur për televizionin ANT1, zbuloi përmbajtjen e letrës anonime, drejtuar kryediplomatit grek.

“Kemi 3 plumba për ty”, thuhet ndër të tjera në letër, lidhur me të cilën kanë nisur hetimet.

Bëhet e ditur se në letër kërcënohet ministri grek dhe familja e tij.

Sakaq ministri Toskas bëri thirrje ndaj forcave politike, që të dënojnë veprime të tilla, në funksion të interesit kombëtar dhe një klime më të mirë.

Dyshimet paraprake janë përqendruar në faktin se kërcënimi lidhet me negociatat për emrin e Maqedonisë./a.y/noa.al