Transmetuar më 01-02-2018, 10:23

Mbrëmjen e djeshme shumë prej nesh mund të kenë vënë re super Hënën, një fenomen i cili nuk ndodhte prej 152 vitesh.

Eklipsi Hënor, një hënë e plotë e cila ndriçon më shumë se herët e tjera ka sjellë spektakël në shumë shtete. Shumë qytetarë kanë qënë me aparat në dorë për të shijuar këtë fenomen.

Kombinimi i eklipsit të Hënës, “Hënës së Përgjakur” dhe Superhënës, që u pa në Hemisferën Perëndimore të globit, ndodhi për herë të parë në 152 vite.

Është hera e parë në 35 vjet që Hëna Blu (Hëna e plotë e muajit) është e sinkronizuar edhe me eklipsin e plotë hënor, ose me atë që quhet Hëna e Gjakut për shkak të ngjyrës së saj të zjarrtë.

Po ku është parë më shumë?

Hawaii dhe Alaska ishin vendet më të mira që e ndoqën fenomenin, së bashku me Yukon (Kanada). SHBA-të në pjesën perëndimore, gjithashtu, patën një pamje të qartë së bashku me Rusinë.

Njerëzit në Australi, Azi dhe një pjesë të Rusisë, kishin mundësinë ta shijonin të plotë momentin e kësaj ngjarjeje të rrallë. Edhe në Amerikën e Veriut magjia ishte mjaft e qartë. Evropa, pjesa më e madhe e Afrikës dhe Amerika e Jugut, për fat të keq, nuk kishin të njëjtin fat.

Superhëna ndodh kur Hëna e plotë shfaqet në pikën më të afërt të orbitës së saj me Tokën. Kjo e bën Hënën më të madhe dhe më të shndritshme deri në 14 për qind. Hëna Blu është e rrallë dhe fenomeni ndodh kur brenda një muaji kalendarik shfaqet dy herë Hëna e plotë (e para Hënë e plotë e këtij muaji ishte më 1 janar). /b.l/noa.al/