Transmetuar më 30-01-2018, 17:39
Publicitet

Qeveria shqiptare ka planifikuar këtë vit 20 milionë euro, ku vetëm për serat janë planifikuar 8 milionë dhe nga fondet e BE edhe 93 milionë euro të tjerë. Mbështetja e qeverisë do të orientohet drejt kulturave bujqësore që kanë treg dhe sigurojnë të ardhme financiare për familjen fermere.

Kryeministri Rama gjatë një vizite sot në Divjakë, në një prej serave që kultivojnë fidanë tha se një organizim i mençur i fermerëve është sfidë dhe njëkohësisht garancia për të qenë të suksesshëm në treg. Për këtë, Kryeministri theksoi se duhet të ndiqet një linjë strategjike planifikimi dhe bashkëpunimi. Si mbështetje, qeveria do të heqë TVSH-në për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

“Mbillet karota, por tregu i karotave aq është këtu. Karota për eksport nuk shkon dhe pastaj ca e shesin, ca e hedhin. Prandaj nuk duhet të shkojë secili më vete, duhet të ndiqet një linjë strategjike planifikimi dhe bashkëpunimi. Ne duam që ju të bashkoheni e jo secili më vete tek ajo copa e vet.

Do heqim TVSH-në për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Duke u bërë bashkë, ju keni mundësi që së pari, të racionalizoni të gjithë mjetet e prodhimit dhe financimit; Së dyti, të hyni në një sistem, ku duke prodhuar gjërat e duhura me volume të mëdha, nuk vijnë ata nga Tirana dhe të bëjnë “përça e sundo”, “ma jep me 3 lekë, se ai tjetri ma jep me 5 lekë” etj..”, u shpreh Rama.

Nga ana e tij zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha se çdo fermeri i subvencionohet çdo fidan të mbjellë në masën 50% dhe se sfida e radhës është certifikimi i produkteve dhe rritja e standardeve për eksport.

“Qeveria shqiptare sivjet me skemën e subvencioneve ka planifikuar 20 milionë euro për të gjitha, kurse për serat dhe perimet janë 8 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe nga IPARD, 93 milionë euro, ku futen këtu edhe rreth 10 milionë euro që do të përdoren për serat.

Subvencion tjetër për fermerët është edhe certifikimi i produkteve. Ne mund të prodhojmë shumë, por mungon certifikimi. Por vitin që vjen do të jenë në skemë 100 % të gjithë fermerët, sepse duhet që këtë produkt ta eksportojmë. Ne u subvencionojmë të gjithë fermerëve fidanët në masën 50 %, 120 lekë të vjetra”, tha Kote. /b.l/noa.al/

Loading...