Transmetuar më 29-01-2018, 21:30
Publicitet

Nga Mero Baze

Emërimi i Ben Blushit si drejtor i Top Channel, është  një vend i ri pune për të, dhe një paranojë për opinionin publik. Paranoja vërtitet rreth arsyeve përse Top Channeli po emëron në krye të televizionit një kritik të ashpër politik të Edi Ramës. Nëse do të ishte kështu, mendoj se Top Channel ka bërë zgjedhjen e duhur, për të ilustruar pozicionin e tij politik. Ben Blushi është padiskutim kritiku më i ashpër i Edi Ramës, më thelbësori në qëndrimin politik kundër tij, dhe më pak banal se çdo kritik tjetër i tij. Ndaj them se nëse është përzgjedhur për këtë aryse, ai është zgjedhje e duhur.

Kjo është në të vërtetë dhe e vetmja vlerë që do të kishte një emërim i tillë, natyrisht dhe përveç rrogës që i është ofruar në kontratë.

Nga ana tjetër, kalimi i Blushit nga gazetaria në politikë para 20 viteve, dhe kthimi sërish si menaxher në gazetari, është përpjekja për të përsëritur historinë e tij.

Ben Blushi hyri në politikë për shkak të suksesit si gazetar. Ai e përdori punën e tij si gazetar në vitet ‘90, në krye të gazetës “Koha Jonë”, për t’u futur në qeverinë “Nano” si zëdhënës i tij dhe më pas si prefekt, deputet dhe ministër. Më pasi ai vazhdoi karrierën me Edi Ramën si kryetar i grupit parlamentar dhe deputet, derisa në vitin 2017 u përpoq të krijonte një parti të tij.

Produkti politik i Ben Blushit ishte në fakt përgënjeshtrimi i çdo gjëje që kishte thënë e shkruar në gazetari. Ai “luftoi” autoritarizmin e Berishës si kryetar i PD, që refuzonte mendimin e lirë të anëtarëve, u “përball” me Ramën me arsyetimin se nuk po e linte të lirë si kritik të tij, dhe në fakt krijoi një partiçkë, që brenda disa muajsh u plasarit dhe u shkërmoq pasi Blushi u soll si një “Berishë” në miniaturë, duke përjashtaur të vetmen bashkëthemeluese që ju bashkangjit vullnetarisht nismës së tij dhe duke bërë të njohur më shumë anëtarë duke i përjashtuar, se sa duke i pranuar. Ai provoi se të gjitha çfarë kishte thënë e shkruar për politikanët, i kishte dhjetëfish vese të veta si politikan, që nga korrupsioni, mungesa e lirisë brenda një grupimi të vogël politik, e deri tek sjellje të dhunshme ndaj atyre që mendonin të kundërtën e tij.  Ai ishte pak si Berisha, pak si badigardët e Berishës që rrihnin kundërshtarët, pak si ata që akuzon për korrupsion dhe mbi të gjitha, i njëjtë si gjithë liderët shqiptarë që duan të bëjnë një gjë për vete, dhe jo për publikun.

Ezaurimi i tij si politikan, me një fund thuajse banal, i ka mbushur mendjen për një rilindje të re si gazetar. Nëse në fillim e përdori gazetarinë për t’u bërë politikan, tani po përdor politikën për t’u rikthyer i motivuar në gazetari kundër atyre që nuk e lanë të bënte hajër, sipas tij.

Kur historia tenton të përsëritet, ajo shpesh herë bëhet qesharake, por në rastin e Blushit mund të mos ndodhë kështu. Mund të jetë dhe më keq se kështu. Ai mund të jetë bërë pjesë e një pakete të re financimi për Top Channel, si garant i atyre që mund të paguajnë për ringritjen e  tij financiare. Në këtë rast, nuk kemi rikthimin e Blushit si gazetar, por si mik oligarkësh, nga ata që rrinë para- mbrapa kryeministrit dhe që janë përfituesit kryesorë të pushtetit. Ben Blushi është së paku miku i shumicës së tyre dhe në këtë rast, është thjesht një vend i ri pune i paguar mirë. Kështu, do të kemi rast të shikojmë më shumë lajme pozitive pse duhen djegur plehrat, pse nuk duhet paguar taksa kur ndërtohen resorte në Tiranë, apo gjëra të tilla.

Nëse kthehet për të vazhduar misionin e tij politik të dështuar, ai mund t’ia dalë të marrë hak ndaj atyre që nuk i mundi dot si politikan, por tani duke përdorur një media të madhe, e cila po përjeton krizën e identitetit të saj. Dhe ky mund të jetë i vetmi problem i këtij rikthimi. Nëse objektivi i tij përkon me objektivin e Top Channelit, ne mund të shikojmë një media të angazhuar politikisht, që mund të prodhojë politikë më shumë se Monika me Lulin. Nëse jo, pra nëse Top Channel nuk ka objektiv të njëjtë me Blushin, mund të shikojmë së shpejti një “déjà vu” të sherrit Blushi-Hafizi me çiftin Blushi-Hoxha. Se në këtë rast, Ben Blushi nuk po kthehet si gazetar, por për të përdorur edhe një herë gazetarinë, për atë që nuk arriti dot si politikan.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al