Transmetuar më 29-01-2018, 08:03
Publicitet

I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, Armand Duka flet për kandidaturën e tij për një mandat të pestë në krye të FSHF-së. Ai shprehet se kjo për të është një periudhë normale, të cilën nuk do ta konsideronte fushatë.

- Fino akuzon se gara është e padrejtë. Pse nuk zbardhet lista me delegatët?

Kam parë që Fino ka bërë një kërkesë për delegatët në Asamble. Pak a shumë dihet se kush do jetë. I kam kërkuar sekretarit Shulku që të gjithë ta kenë listën e delegatëve. Nuk e konsideroj deformim gare. Afati ka qenë deri dje për listën e delegatëve.

Një dekadë e gjysmë në krye të FSHF, pse mendoni se vetëm Zoti ju ndalon të kandidoni?

Nuk mendoj se mund ta bëj vetëm unë. Mund të ketë shumë më të aftë, por duhet të kenë programin e tyre. Unë mendoj se e njoh shumë mirë, në këto 16 vite jam rritur unë, federata dhe i gjithë komuniteti. Kam marrë shumë eksperiencë, nuk mendoj se jam i vetmi, por më i mirë.

Arritja më e madhe…

FSHF ka bërë shumë hapa përpara. Gjëja më e rëndësishme është konsolidimi i institucionit, që nga infrastruktura deri tek e gjitha si organizatë. Është ndryshuar infrastruktura në të gjithë Shqipërinë. Më parë FIFA dhe UEFA nuk financonin shumë para në Shqipëri, ndërsa tani po hedhin shumë para këtu.

Ne kemi filluar të liçensojmë trajnerë, teksa më parë nuk dihej se ku mund të bëhej shkolla e trajnerit. Liçensa që sot jep FSHF njihet në të gjithë botën. Më parë ka pasur vetëm një kampionat, sot i kemi të gjitha nivelet, të gjitha zonat dhe rajonet. Kampionate për të gjitha moshat. Kemi filluar futbollin e femrave, diçka e vështirë në Shqipëri. Kemi ekipe kombëtare me moshat e femrave.

Kemi rritur numrin e njerëzve dhe të fëmijëve që luajnë futboll në Shqipëri. Gjithashtu, kemi rritur edhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, edhe me kalimin e tureve të ekipeve të Superiores në kupat e Europës.

Çfarë merite keni tek kualifikimi i Kombëtares…

Unë nuk e mendoj si diçka individuale. Është diçka kolektive, aq më pak ta mendoj këtë në futboll. Kam bërë mirë pjesën që më takon si president, por ka qenë një punë e lojtarëve, stafit teknik, e gjithë administrata e FSHF.

Shqipëria nuk duhet të krenohet me arritjen në Europian, duke mos shkuar me produkt nga kampionati shqiptar.

Ne kemi vetëm futbollistë shqiptarë, jo të huaj. Kemi marrë kritika kur nuk kemi marrë ndonjë talent që luan për Zvicrën, ndërsa sot kemi marë merita për këto lojtarë që i kemi afruar në Kombëtare.

Fino tha që do bëj edhe 5 stadiume të tjera. Keni parashikuar gjë për stadiumet?

Ne kemi planifikuar se ç’mund të bëjmë në 4 vitet e ardhshme, në bashkëpunim me bashkitë apo me qeverinë. Ne mund të rikonstruktojnë edhe 2 stadiume të tjera. Mund të pajisim stadiumet e Superiores me drita. Ndërtimin e fushave për stërvitje me bar natyral. Kemi menduar të ndërtojmë 70 mini-fusha për fëmijët, fusha për të verbërit.

Federata përflitet për ndikim në garë…

Federata është thjesht organizatore, dhe menaxhojnë garat po ato arbitra dhe ish-lojtarë në Shqipëri. Gabojnë të gjithë, arbitrat, trajnerët, lojtarët. Mos të pretendojmë që nuk do ketë gabime. Niveli i lojës, niveli tekniko-taktik është rritur, po ashtu është rritur edhe organizimi nga klubet dhe nga vetë federata.

Politika…

Një eksponent i lartë i Partisë Socialiste është përfshirë në garë dhe ka politizuar garën. Kjo ka bërë që antarët e Partisë Socialiste të bëjnë tifozllëk që sekretari i Partisë Socialiste të fitojë zgjedhjet në FSHF. Është ndërhyrje e politikës, dhe sot në vitin 2018, nuk kemi arritur ta zhdukim. Çfarë do ministri i jashtëm, Ditmir Bushati që i bën presion votuesve të Shkodrës e iu tregon për kë të votojnë në FSHF. Pse bën Vangjush Dako presion në Durrës? Ja që ka ndërhyrje të politikës në zgjedhje.