Transmetuar më 28-01-2018, 21:18

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i konsideron tejet të vështira hetimet për zbardhjen e vrasjes së liderit serb të kosovës Oliver Ivanoviç. 

Gjatë një vizitë në Romë, në një intervistë ekskluzive për Ora News ai nënvizon se ekzekutimi ka qenë i mirorganizuar në detaje.

“Hetimet vazhdojnë, sigurisht është një vrasje shumë bukur e orkestruar, një vrasje e planifikuar në detaje dhe do të jetë shumë vështirë për të limituar veprimet e hetuesisë me kohë”, tha numri dy i qeverisë së Kosovës.

Pacolli konfirmon se për këtë çështje po bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë, teksa sa i përket Serbisë, zëvendëskryeministri thekson se ka kontakte, por gjurmët nuk shkojne drejt Kosovës.

“Ne kemi kontaktuar me qeverinë serbe, dihet se kjo vrasje nuk çon drejt jugut, por drejt veriut”, shtoi më tej ai.

Çështjen “Ivanoviç”, Pacolli nënvizon se e ka trajtuar dhe me ministrin e Italisë Alfano. Gjatë qëndrimit në Romë, Pacolli ka prezantuar dhe librin e tij.

Në eveniment morën pjesë politikanë e parlamentarë italianë, sipërmarrës, diplomatë, gjenerali i përgjithshëm i forcave italiane të KFOR në Kosovë, si dhe ish-trajneri shqiptar i kombëtares Gianni De Biasi. /k.k/noa.al/